Presidenti amerikan Barack Obama të hënën do të paraqesë kandidaturën e asistentit të tij për luftën kundër terrorizmit, John Brennan, për në postin e Kreut të CIA-s, njofton Agjencia Associated Press, duke cituar burime të mirinformuara në Shtëpinë e Bardhë.

Brennan ka drejtuar Qendrën Kombëtare për luftën kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001. Pas dorëheqjes skandaloze në muajin nëntor të gjeneralit David Petraeus, detyrën e Kreut të CIA-s e kryen Michael Morell, i cili më parë ka qenë Zv. Drejtor i CIA-s.

Një përfaqësues i Administratës së Presidentit amerikan konfirmoi gjithashtu se për postin e Kreut të Pentagonit do të paraqitet kandidatura e ish-Senatorit republikan Chuck Hagel.