0Katedralja më e madhe e Rusisë, Tempulli i Krishtit Shpëtimtar, e llogaritur për afërsisht 10.000 njerëz, që shumë kohë para fillimit të shërbesës solemne fetare ishte pothuajse e mbushur tërësisht me besimtarë. Klerikët me veshjet e tyre festive të bardha borë dhe ngjyrë floriri të qendisura për merak me fije ari - ngjyrat tradicionale të Krishtlindjeve, era e temjanit dhe bredhave, të vendosur përgjatë gjithë perimetrit të katedrales, kori i mrekullueshëm që këndonte këngët kishtare solemne të adhurimit ...

Galeria fotografike

Atmosferën e gëzueshme të shërbesës fetare e plotësonte shkëlqimi i syve të besimtarëve. Për të pritur një nga festat më të rëndësishme kishtare të vitit kishin ardhur jo vetëm banorët e Moskës, por edhe vizitorë nga qytete të ndryshme të Rusisë, nga shtetet e afërta e të largëta të saj. Së bashku me orthodhoksit në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar natën në të gdhirë të 7 janarit u lutën edhe përfaqësuesit e besimeve të tjera - katolikët dhe protestantët. Festa e Krishtlindjeve na bashkon të gjithë ne - me këto fjalë iu drejtua të ardhurve në tempull Patriarku Kirill:

- Kjo festë na bashkon me evenimentin më të rëndësishëm në histori e njerëzimit - Lindjen në Betlehem të Birit të Perëndisë dhe Birit të njeriut, Zotit tonë Jezus Krishtit, Shpëtimtarit të botës. Vetëm fjala "Shpëtimtar" na zbulon ne sekretin e lindjes së Tij, ardhjes në botë dhe qëllimit të shërbesës së Tij. Shpëtimi - pikërisht për këtë ëndërron çdo njeri në rrethana të ndryshme të jetës. Zoti erdhi në tokë për të na shpëtuar. Dhe gjëja më e rëndësishme në shpëtimin e tij është fuqia që na jep Ai për të triumfuar ndaj së keqes, ndërsa kjo do të thotë mundësi për të trashëguar Mbretërinë e Perëndisë.

Së bashku me besimtarët orthodhokse të Rusisë Lindjen e Foshnjës Hyjnore Jezus natën e fundit e pritën edhe disa kisha të tjera orthodhokse të cilat jetojnë, po ashtu si dhe Kisha Orthodhokse Ruse, sipas kalendarit të vjetër Julian. Midis tyre janë Kishat e Gjeorgjisë, Serbisë dhe Jeruzalemit. Vërtetë, në territorin e Rusisë Liturgjia hyjnore në nder të Lindjes së Shpëtimtarit u mbajt edhe nga përfaqësuesit e atyre kishave orthodhokse, të cilat e kremtojnë tradicionalisht festën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor, domethënë në përputhje me kalendarin Gregorian. Ne jemi mysafirë të Kishës Orthodhokse Ruse dhe, për këtë arsye, respektojmë zakonet e saj, deklaroi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Kreu i Përfaqësisë së Kishës Orthodhokse Bullgare në Moskë, Arkimandriti Teoktist Dimitrov.

- Kur kam jetuar në Bullgari, natyrisht, i festoja Krishtlindjet më 25 dhjetor. Dhe, kur e kremtova për herë të parë këtë festë sipas kalendarit Julian të pranuar nga Kisha Orthodhokse Ruse, fillimish kjo më krijoi njëfarë diskomforti. Por tani shpirti mu mësua kaq shumë me të saqë aktualisht e festoj me gëzim të madh këtë ngjarje së bashku me vëllezërit e mi rusë të besimit. Ne kemi tradita të përbashkëta. Sigurisht, ekzistojnë disa dallime në këngët kishtare, psalmet dhe zakonet, por ato janë fare të vogla, madje të pakonsiderueshme, mund të them.

0Me ardhjen e festës së Lindjes së Krishtit në Rusi fillojnë Kërshëndellat apo të quajturat ndryshe Ditë të Shenjta. Kjo kohë e veçantë gëzimi, argëtimi, shëtitjesh dhe zbavitjesh popullore, pritjes së mysafirëve do të zgjasë 12 ditë dhe do të përfundojë më festën e Epifanisë (Pagëzimit të Krishtit), të cilën Kisha Orthodhokse Ruse e kremton më 19 janar.