Pesë të arrestuarit e përfshirë në çështjen e bujshme të përdhunimit të studentes në Nju Delhi dolën para gjyqit.

Dy prej tyre pranuan të dëshmojnë kundër të dyshuarve të tjerë duke shpresuar që t'i shmangen me këtë dënimit me vdekje. I akuzuari i gjashtë është 17 vjeç. Çështja e tij do të dëgjohet në gjyqin për çështjet e të miturve.

Protestat kundër përdhunimit në grup të studentes 23-vjeçare në një autobus në Nju Delhi, që solli si pasojë vdekjen e vajzës, po vazhdojnë që prej disa javësh në Indi. Protestuesit kërkojnë një gjykim të drejtë për fajtorët e krimit.