Gjykata Kushtetuese e Hungarisë rrëzoi ligjin për zgjedhjet, i cili ka shkaktuar shumë polemika dhe që, sipas mendimit të kritikëve të tij, ishte projektuar për të ndihmuar Kryeministrin aktual Viktor Orban të qëndronte në pushtet.

Sipas këtij ligji të gjithë 8.000.000 votuesit hungarezë do të duhej të kryenin një regjistrim të veçantë të paktën dy javë para zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për vitin e ardhshëm. Sipas rregullave ekzistuese, votuesit, të cilët vijnë në qendrën e votimit, thjesht verifikohen në bazën e të dhënave.

Gjykata Kushtetuese konstatoi se ligji i ri do të çonte në një shkelje të papranueshme të të drejtave të zgjedhësve.