OKB-ja u ofroi ndihmë autoriteteve të Côte d'Ivoire (Bregu i Fildishtë) për hetimin e rrethanave të shtypjes masive natën e Vitit të Ri në qytetin Abixhan, ku si pasojë gjetën vdekjen 61 persona.

Organizata i vuri në dispozicion qeverisë një ekip mjekësor dhe të gjitha mjetet e nevojshme logjistike për të siguruar ndihmën emergjente për viktimat si dhe zhvillimin operativ të hetimit.

Ditën e mërkurë Presidenti i Côte d'Ivoir, Alassane Ouattara, shpalli zinë treditore kombëtare në vend. Shtypja ndodhi natën e Vitit të Ri në një stadium në Abixhan. Në arenën sportive ishin mblodhur 3 mijë shikues për të kremtuar festën dhe për të parë fishekzjarret. Ende nuk është bërë e qartë se cili ishte shkaku i tragjedisë.