0Rusia është duke zhvilluar aktualisht së paku dy lloje krejtësisht të reja të raketave balistike ndërkontinentale. Një nga këto dy projekte, sipas njoftimeve të mediave ruse, është raketa gjigande me karburant të lëngshëm “Sarmat” (russ. «Сармат»), e cila do të zëvendësojë kompleksin sovjetik “RS-36M” (russ.“РС-36М”) "Vojevoda" (russ. «Воевода»), i njohur më mirë sipas klasifikimit perëndimor me emrin "Djalli" (russ. «Сатана»).

Kompleksi "Vojevoda" për shumë vite me radhë vazhdon të mbetet një komponent i rëndësishëm i forcave strategjike bërthamore ruse. Ai përbëhet nga raketat më të rënda ndër ato balistike ndërkontinentale që hyjnë aktualisht në armatimet e ushtrive të vendeve të ndryshme të botës. Pesha e tyre në fillim të fluturimit është më shumë se 200 ton, kurse motorët e raketave mundësojnë mbartjen e 10 mbushjeve bërthamore dhe një numri të madh mjetesh të kapërcimit të mbrojtjes antiraket (MAR), të tilla, si për shembull, objektivat e rreme. Distanca e fluturimit të këtyre raketave mund të arrijnë nga 11.000 - 16.000 km.

Për nga masa e vet “RS-36M” mund të krahasohet vetëm me raketën ndërkontinentale kineze “DF-5”, e cila peshon 183 ton. Por raketa kineze është më pak e përsosur se ajo ruse. Për shembull, ajo kërkon një parapërgatitje të gjatë para startimit: mbushja me karburant e saj merr deri në dy orë. Kjo e bën raketën fort të cënueshme për goditjen e parë. Megjithatë Kina ruan rreth 20 raketa “DF-5A”, pasi ato deri më tani janë të vetmet sistemet strategjike kineze që mundësojnë dhënien e goditjes mbi çdo pikë të territorit të SHBA-së.

Rusia dhe Kina kanë zgjedhur qasje të ndryshme për zëvendësimin e raketave të veta kryesore të rënda. Rusia ka vendosur, në fakt, të ripërtërijë sistemin e “RS-36” në një nivel të ri teknologjik. Zgjedhja e bërë në favor të raketës së lëngshme është e lidhur me faktin se, në krahasim me atë me karburant të ngurtë, ajo është e aftë të mbartë një ngarkesë të dobishme më të madhe. Rusia pret që në të ardhmen SHBA-ja të fillojë vendosjen e elementeve të sistemit të vet të mbrojtjes antiraket (MAR) në hapësirën kozmike si dhe përforcimin e aftësive të mbrojtjes nga raketat në Evropë. Raketa më e rëndë dhe më e fuqishme mund të garantojë kapërcimin e kësaj mbrojtjeje.

Përveç kësaj, raketa me karburant të lëngshëm me vëllimin e saj të madh të mbartjes së ngarkesës së dobishme do të lejojë krijimin e një arme strategjike të përpikërisë së lartë me mbushje jo-bërthamore dhe me arritjen globale të objektivit. Rusia mund të iniciojë krijimin e një arme të këtillë në qoftë se zhvillimi i saj do të ndërmerret nga SHBA-ja.

Paralelisht me raketën e rëndë me karburant të lëngshëm Rusia po punon edhe për zhvillimin e një raketë të re të lëvizshme me karburant të ngurtë, e cila destinohet për të zëvendësuar në prodhim komplekset "Topol-M" (russ. «Тополь-М») dhe "Jars” (russ. «Ярс»). Në këtë mënyrë Rusia synon të ruajë në të ardhmen e afërt forcat strategjike bërthamore, të përbëra nga raketat e lëvizshme dhe raketat e rënda me karburant të lëngshëm të bazimit në galeri nëntokësore.

Përsa i përket Kinës tashmë dihet fort mirë se përveç raketave të lëvizshme me karburant të ngurtë “DF-31A”, që po prodhohen aktualisht, ajo është duke punuar për zhvillimin e një raketë më të rëndë me karburant të ngurtë me pjesë të ndashme të mbushjes (kokës). Kjo raketë është gjithashtu përgjigje ndaj forcimit të sistemeve amerikane të mbrojtjes antiraketore, por për të arritur largësinë e fluturimit dhe mbartjes së ngarkesës së dobishme të raketës “DF-5” do të jetë tejet e vështirë për të.

0Kjo qasje është në përputhje të plotë me strategjinë e ndjekur prej Kinës përkatësisht ndërtimit të forcave të veta bërthamore. Kina që fillimisht nuk ka synuar në arritjen e paritetit bërthamor me Shtetet e Bashkuara, duke fokusuar vemendjen kryesore në mbajtjen e një grupimi të vogël raketor, të aftë për t’i mbijetuar, rezistuar goditjes së parë raketore dhe për të dhënë goditjen e kundërpërgjigjes.