Disa dhjetëra njerëz zunë ambjentet e Ambasadës së Vatikanit në Paris në mbështetje të emigrantëve që kërkojnë një zgjidhje të statusit të tyre.

Protestuesit, të cilët zunë ambjentet e ambasadës së njohur si Nunciatura Apostolike, janë të pakënaqur me politikat e autoriteteve franceze në lidhje me një grup emigrantësh të kapur pa dokumenta, kryesisht emigrantë nga Algjeria.

Për të gjetur një zgjidhje të shpejtë të çështjes së statusit të tyre, emigrantët hynë në grevë urie, dhe pastaj zunë kishën në Lille në veri të Francës. Mirëpo më 21 dhjetor policia i nxorri grevistët nga kisha.

Tani në ambjentet e ambasadës së Vatikanit ndodhen rreth 50 protestues. Në ndërtesën e misionit diplomatik kanë mbërritur njësitë speciale të policisë që nuk po përdorin ende dhunë. Vetë protestuesit deklarojnë që do të braktisin në mënyrë paqësore ambasadën pasi të kenë shprehur plotësisht pikëpamjet e tyre.