0Për të marrë pjesë në këtë pritje të rëndësishme për Shqipërinë në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, me vlera të veçanta historike, kulturore, arsimore etj., kishin ardhur përfaqësues të lartë të pushtetit vendor të Sh. Petersburgut, të Ministrisë së Punëve të Jashtme, shqiptarë me banim në Shën Petersburg, njerëz të artit, kulturës, shkencës, arsimit, studentë rusë që mësojnë gjuhën shqipe si dhe një numër albanologësh të njohur rusë. Në pritjen e organizuar në Pallatin e “Miqësise së Popujve” të qytetit të Petersburgut erdhën për të marrë pjesë edhe përfaqësues të zyrave konsullore që veprojnë në këtë qytet, afërsisht 60 syresh.

Në emër të shtetit dhe qeverisë shqiptare, të pranishmit i përshëndeti Ambasadori i RSH në FR. Ai tha se shpallja e Pavarësisë së Shqipërise 100 vjet me parë ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit dhe shtetit shqiptar, mbasi ajo e shkëputi vendin nga një pushtim shumëshekullor, u mundua t’u vinte fre lakmive të vendeve fqinje si dhe ndërmorri hapin e rëndësishëm të krijimit të shtetit shqiptar. Me tej, Ambasadori Gjoka bëri një panoramë të shkurtër kushtuar zhvillimeve historike të kohës, për të ardhur deri tek proceset e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe rrugën e saj të anëtarësimit në BE. Në evokim të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasadori Gjoka përmendi edhe një numër të konsiderueshëm aktivitetesh të zhvilluara, kryesisht, në këto 3 muajt e fundit në Rusi, ku Sh. Petersburgu ka mirëpritur një pjesë të tyre. Për të forcuar edhe më shumë lidhjet midis Sh. Peterburgut, qytetit rus të albanoligjisë shqiptare, të kulturës, artit, të ngjarjeve madhore të historisë ruse, shteti shqiptar ndërmorri, gjatë këtij viti, hapin e rëndësishëm të emërimit të Konsullit të Nderit të Shqipërisë në rajonin e Leningradit dhe qytetin e Sh. Petersburgut, tha Ambasadori Gjoka. Nëpërmjet këtij institucioni të veçantë Shqipëria synon të nxisë bashkëpunimin diplomatik, ekonomik, turistik, arsimor, shkencor, kulturor me qytetin, institucionet e tij dhe qytetarët e Shën Petersburgut. Ambasadori shqiptar i uroi punë të mbarë Konsullit të Nderit të RSH në Petersburg, z. Aleksander Novik, duke i dorëzuar, në mënyrë simbolike, edhe Certifikatën zyrtare të Konsullit të Nderit.

0Për të përshëndetur emërimin e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në qytetin e Petersburgut dhe rajonin e Leningradit, kishin dërguar mesazhe përshëndetëse, nëpërmjet zyrtarëve të tyre të lartë, Guvernatori i Leningradit dhe ai i qytetit të Sh. Petersburgut. Ata i uronin Konsullit të Nderit të Shqipërisë punë të mbarë në zonën e tij të veprimtarisë, duke i premtuar mbështetjen e tyre të plotë institucionale. Të pranishmit i përshëndeti edhe z. Novik, duke premtuar një angazhim maksimal për nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe qytetit të Petersburgut e rajonit të Leningradit.