0Informacion i marrë nga shkencëtarët është i nevojshëme për korrektimin e rreziqeve ekonomike të rajonit të Paqësorit.

Ekspedita e profesores së gjeologjisë të Universitetit Shtetëror (State University) të Uashingtonit, Znj. Joanne Bourgeois, dhe hulumtuesve të tjerë të huaj në Kamçatkë, filloi një punë të zgjeruar shkencore. Thelbi i saj konsiston në vlerësimin e rrezikut sizmik të gadishullit. Më parë në Kamçatkë kanë punuar vetëm sizmiologët dhe vullkanologët sovjetikë. Ekipi i Joanne Bourgeois ka restauruar gjithë historinë e lashtë sizmike të gadishullit dhe ka përpiluar hartën e kontureve të vijës së mëparshme të bregdetit të tij. Shkencëtarët kanë hapur gropa të thella për të parë alternimin e shtresave sedimentare shkëmbore. Në bazë të thellësisë dhe strukturës së tyre mund të kuptohet se sa shpesh ka pasur fatkeqësi natyrore në këtë zonë dhe me çfarë force. Ekspertët rusë të historisë së tërmeteve, paleosizmiologët e përdorin gjithashtu këtë metodë.

Pjesëmarrësit e ekspeditës së Joanne Bourgeois kanë përshkuar shumë udhë në këmbë, sepse rrugë të shtruara në Gadishullin e Kamçatkës pothuajse nuk ka fare. Janë ndeshur ata edhe me arinj, por këto kafshë kanë demonstruar një sjellje krejtësisht paqësore. Ata kanë vuajtur shumë vetëm nga retë e mushkonjave. Gjatë punës së tyre shkencëtarët kanë përdorur hartat ruse të rrezikut sizmik të gadishullit.

Gati çdo 2 vjet në Gadishullin e Kamçatkës bien tërmete me magnitudë rreth 7 ballë sipas shkallës Rihter. Dhe ky fakt nuk kalon pa lënë gjurmë në ekonominë botërore. Ai duhet të merret parasysh medoemos gjatë llogaritjes së rreziqeve për transportin detar si dhe projektimit të ndërtesave në rajonin e Paqësorit, duke përfshirë edhe bregdetin perëndimor të SHBA-së, meqenëse atje arrijnë cunamët e shkaktuar prej tërmeteve që bien në Gadishullin e Kamçatkës. Gjashtë vjet më parë një valë e fuqishme u shemb mbi Kaliforninë dhe shkaktoi dëme shumë të mëdha në territorin e saj. Sipas fjalëve të ekspertit të Institutit rus të Fizikës së Tokës, Aleksei Zaviallov, në vetë Kamçatkë ndërtuesit ua venë fort mirë veshin parashikimeve të sizmiologëve:

- Në qoftë se nuk do të ishin argumentet e shkencëtarëve, në Gadishullin e Kamçatkës do të ishte ndërtuar që prej kohësh një central bërthamor. Dhe atëhere katastrofa e “Fukushimës” do të kishte ndodhur edhe më herët se në Japoni. Por Instituti rus i Vullkanologjisë dhe Sizmiologjisë u shpreh kundër ndërtimit të centralit bërthamor dhe ky mendim i tij doli vendimtar.

0Edhe gjatë kohës së ekzistencës së Bashkimit Sovjetik jo gjithmonë zhvilloheshin hulumtime intensive për përcaktimin e shkallës së rrezikshmërisë të zonës sizmike të Gadishullit të Kamçatkës. Shkas për fillimin e tyre, si zakonisht, shërbeu një aksident. Në vitin 1952 dallga e shkaktuar prej tërmetit 9 ballësh në Kamçatkë - një nga dy më të mëdhatë në shekullin e kaluar - fshiu tërësisht nga faqja e dheut qytetin e Severo-Kurilsk në ishull Paramushir. Atëhere gjeti vdekjen gjysma e popullsisë së tij. Qyteti u rindërtua sërish mbi kodra, atje ku nuk mund të arrijë dot as cunami më i lartë. Por banorët vendas mbajnë megjithatë ende në gatishmëri në korridor çantat e shpinës me dokumentet dhe sendet më të domosdoshme.