0Për herë të parë maketi me përmasa reale i anijes së re kozmike u demonstrua në Sallonin Ndërkombëtar Aero-Kozmik “Maks-2011”. Tani kompania "Energjia" njoftoi mbi përfundimin e dizajnit teknik të anijes me përdorimin e teknologjive digjitale. Sipas projektit, ajo do të mund të transportojë në orbitë deri në 500 ton ngarkesa. Por destinacioni kryesor i saj do të jetë dërgimi në orbitë i ekuipazhit të përbërë prej gjashtë vetësh, dhe jo më tepër se tre si tani, tha Kryeredaktori i revistës "Të rejat e kozmonautikës" (russ. «Новости космонавтики») Igor Marinin:

- Projekti i ri parashikon kursimin e karburantit të raketave, ekonominë në vetë raketat, kursimin në sigurimin e stacionit kozmik, qoftë ky Stacioni Kozmik Ndërkobëtar (SKN) apo, ndoshta, ndonjë stacion tjetër që do të ndërtojë Rusia në të ardhmen. Edhe në qoftë se do të nevojitet një ekuipazh prej tre vetësh, në vend të kozmonautëve (apo astronautëve) mund të ngarkohen në të pajisje suplementare. Kështu që anija do të mund të kryejë edhe funksionin e transportueses së ngarkesave. Përveç kësaj, kjo do të jetë një anije universale. Ajo është projektuar jo vetëm për fluturime në orbitën rreth Tokës dhe për furnizimin e stacionit orbital, si versioni i tanishëm i anijes "Sojuz", por edhe për fluturimeve shumë të largëta. Variantet e modifikuara të saj mund të fluturojnë rreth Hënës, të dalin në orbitën e Hënës.

Nëse do të merret vendimi për të ndërtuar një stacion hapësiror në orbitën rreth-hënore, atëhere furnizimi i tij mund të realizohet me përdorimin e kësaj lloj anije, thekson eksperti. Përveç kësaj, duke patur kapacitet të madh teknik ajo do të mund të kryejë fluturime autonome mjaft kohëgjata.

Në anijen e re kozmonautët (ose astronautët) do të kenë kushte shumë më të rehatshme pune, meqenëse është rritur gati dyfish hapësira e shfrytëzueshme, anija është më e lehtë për tu drejtuar. Dhe së fundi, është zhvilluar një sistem i ri i uljes së saj, i cili lejon reduktimin e ndjeshëm të mbingarkesave.

0Ekspertët rusë në fushën e kozmonautikës besojnë se anija e zhvilluar kozmike mund të bëhet bazë për realizimin e misioneve të pilotuara në Hënë. Raketëmbajtës më i përshtatshëm për anijen e re mund të bëhet moduli bartës rus në zhvillim e sipër i tipit "Angara". Megjithatë, siç thonë ekspertët, anija universale nëse do të jetë e nevojshme mund të instalohet edhe në raketëmbajtëse të tjera.