0Ky vit ka qenë fort i pasur me skandale të bujshme dhe çështje gjyqësore në sferën e sektorit bankar. Skandali që shpërtheu në pranverë me bankën britanike (Barclays Bank) në Londër i kushtoi madje postin drejtorit të saj. Menjëherë pas tij, si një shtëpi prej kartoni, fluturoi e gjithë skema, në të cilën ishin të implikuara institucionet më të mëdha financiare në botë: HSBC, Citigroup, Credit Suisse, JP Morgan ... Por të gjitha ato njëzëri ranë dakord për ta zgjidhur konfliktin, dhe, si i thonë fjalës, "me marrëveshje në vend". Dhe kjo është një praktikë mëse normale në botën bashkëkohore bankare, thotë analisti kryesor i grupit financiar "Kalita-Finance" Aleksei Viazovskij:

- Këto gjoba, në fakt, bankat i parashikojnë apriori në qarkullimin e vet dhe sapo lind problemi ai zgjidhet, si i thonë fjalës, në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa iu drejtuar gjykatës.

Ekspertët nuk marrin madje as guximin të llogarisin shumën që mund të kenë fituar bankierët nga mashtrimi i investitorëve. Fjalë bëhet për një mashtrim të hapur, fare të paskrupullt, thonë ekspertët. Kurse depozituesit e zakonshëm nuk kanë pësuar asnjë dëm nga veprimet e bankave, sqaron Drejtori Ekzekutiv i grupit të kompanive "Alor", Sergei Hestanov:

- Dua të theksoj se kurrfarë dëmesh, nga veprimet për të cilat fajësohen bankat, klientët nuk kanë pësuar. Shumë ekspertë janë të mendimit se një pjesë e akuzave, që janë ngritur kundër bankave, kanë karakter krejtësisht formal. Besohet se në qoftë se bankat nuk do të binin dakord që të paguanin gjobën dhe do të kërkonin zhvillimin e një hetimi më të plotë, atëhere ekzistonin shanse të mëdha që shumica e bankave t’i fitonte proceset gjyqësore.

Ndër skandalet e tjera të bujshme, në të cilat u përfshinë bankat, mjaft impresionuese dhe e paharrueshme doli historia me trader-in (tregtarin) e UBS-së, Kweku Adoboli. Ai u akuzua për shkaktimin e një dëmi tejet të madh, i cili u vlerësua në më shumë se 2 miliardë dollarë. Jo shumë kohë më parë në zyrën qendrore të Deutsche Bank erdhën befasisht me kontrolle e verifikime bashkëpunëtorët e policisë. Institucioni është i dyshuar për pastrimin e parave gjatë shitjes së kuotave për emetimet e gazeve serrë. Cilatdo qofshin shkaqet e shpalljes së akuzave - banka në çdo rast "humbet". Sepse, në këtë apo atë mënyrë, kjo pasqyrohet në imazhin e saj, tha Dr. i Shkencave Ekonomike Pavel Medvediev:

0- Unë mendoj se këto humbje janë shumë më serioze nga sa paraqiten. Ato janë të lidhura me faktin se disa nga klientët i kanë besuar më pak para bankës përkatëse, dikush nga klientët potencialë nuk u bë si përfundim një klient real. Është mjaft interesant fakti se deri më tani asnjë nga bankat ruse nuk rezulton e përfshirë në ndonjë rast (çështje) makinacionesh dhe mashtrimi në shkallë botërore. Dhe, sipas mendimit të ekspertëve, në një të ardhme të afërt një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë për një sërë arsyesh. Së pari, vëllimi i tregut në Perëndim është megjithatë më i madh se në Rusi, dhe, së dyti, shteti monitoron më me kujdes zbatimin e ligjit dhe çdo devijim e fikson menjëherë. Përveç kësaj, niveli i besimit të qytetarëve ndaj sistemin bankar rus (ndryshe nga Evropa dhe Amerika) është në rritje: këtë vit vëllimi i depozitave u rrit me gati 20%.