0Pyetjes, nëse është e vërtetë se Bashkimi Evropian kishte bërë zgjedhjen e vet në favor të fitores së tij, Boris Tadiç iu përgjigj:

- Në qoftë se në zgjedhjet presidenciale do të kishte fituar Nikoliç, Serbia atëhere do të ishte shndërruar përsëri në vendin, të cilit Perëndimi do t’i kthente kurrizin për një kohë të gjatë. Ne nuk do të na kishin dhënë kredi, në ekonominë e vendit nuk do të kishin investuar as edhe një euro të vetme. Unë kam patur disa konflikte jo fort serioze me Koshtunicën. Aktualisht Kryeministër i Serbisë është Vojisllav Koshtunica dhe qeveria e tij, për mendimin tim, paraqitet disi konservatore. Kurse neve na duhet të avancojmë me guxim përpara dhe të ripërtërijmë ekonominë e vendit. Votuesi serb zgjodhi “rrugën evropiane” të zhvillimit dhe kjo parapërcaktoi fitoren time. Perëndimi nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet tona. Vërtetë, i dha të kuptojë votuesve se me Nikoliçin serbët nuk do të kenë kurrfarë shansi për investime në vend, për vende të reja pune.

Duke përsiatur në lidhje me perspektivat e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Rusisë Tadiç u shfaq optimist:

- Rusia është partnerja jonë tradicionale dhe strategjike. Ne kemi lidhje të forta dhe të qëndrueshme në sektorin e energjitikës dhe lëndëve djegëse, në sferën e bujqësisë, në degë të ndryshme të industrisë. Serbia ka tre partnerë kryesorë: Rusinë, Evropën dhe SHBA-në. Unë ju siguroj se Rusia do të jetë partnerja jonë kryesore në politikën e jashtme.

Unë i kujtove Presidentit Tadiç se Evropa është e gatshme të ndihmojë Serbinë me kusht që Beogradi të bashkëpunojë më aktivisht me Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë dhe të plotësojë në mënyrë rigoroze kërkesat e tij. E pyeta se çfarë mendonte ai për Ratko Mlladiçin dhe Radovan Karaxhiçin, të cilët në atë kohë nuk mundën t’i arrestonin për nëntë vjet:

0- Ne thjesht jemi të detyruar të bashkëpunojmë me Gjykatën në Hagë. Përndryshe ne do të gjendemi në një situatë të vështirë ekonomike dhe në krizë të thellë politike. Pa një ekonomi të zhvilluar në vend do të përkeqësohen aty për aty konfrontimet e tensionet politike. Dhe atëherë do të jetë e vështirë për të zgjidhur edhe çështjen e Kosovës, edhe një sërë problemesh të tjera rajonale. Sa për Mlladiçin dhe Karaxhiçin, duhet thënë, se këta janë njerëz nga një vend tjetër - nga Bosnja dhe Hercegovina. Para se të bëhesha president i Serbisë unë kam qenë Ministër i Mbrojtjes i shtetit të bashkuar të Serbisë dhe Malit të Zi dhe zotëroja një vëllim të madh informacioni. Por asnjëherë unë nuk kam marrë ndofarë të dhënash apo informata në lidhje me këta njerëz. Gjykata e Hagës kurrë nuk e ka akuzuar Serbinë për këtë. Karaxhiç është akuzuar për krime në Bosnjë dhe Hercegovinë. Me Serbinë kjo nuk ka të bëjë fare. Mlladiç për herë të fundit, sipas burimeve të ndryshme, ka qenë në Serbi që para themelimit të Tribunalit në Hagë dhe para ngritjes së aktakuzave kundër tij. Unë nuk besoj se gjeneral Mlladiç mund të ndodhet në territorin e Serbisë. Të gjitha kërkimet dhe hetimet nuk dha asnjë rezultat. Edhe njëherë dua të theksoj se Mlladiç është gjeneral nga Bosnja, ai është serb boshnjak.