0Ai shprehej me entuziazëm se së shpejti në Serbi do të fitojë demokracia dhe se serbët, më në fund, do të ndjehen të lirë. Zoran Gjingjiç dhe ekipi i tij erdhën në pushtet në tetor të vitit 2000. Një vit e ca më vonë unë u takova tashmë me Kryeministrin Gjingjiç në kabinetin e tij. Natyrisht, në radhë të parë ne folëm për problemin më të ndërlikuar, më neuralgjik për të gjithë serbët e Kosovës.

- Ne nuk e kuptojmë përse Perëndimi i mbështetet në mënyrë kaq aktive shqiptarët në Kosovë, mbron të drejtën e tyre për sovranitet dhe nuk denjon të mbrojë kurrsesi të drejtat e serbëve, të cilët praktikisht janë larguar pothuajse fare nga vatrat e tyre amtare në Kosovë. Sovraniteti i Kosovës është një privilegj shumë i shtrenjtë, i kushtueshëm për rajonin. Në Kosovë jetojnë serbët, të cilët nuk do të pajtohen kurrë me këtë gjë. Përveç kësaj, nëse një ditë të bukur Kosova do të bëhet papritur sovrane, kjo do të shkaktojë një reaksion zinxhir në gjithë Ballkanin.

Pak ditë para përvjetorit të pesëdhjetë të Gjingjiçit, në gusht të vitit 2002, ne kemi biseduar për rreth një orë në vend të 20 minutave të caktuara me protokoll. Në një moment Kryeministri papritmas filloi të flasë vetë mbi standardet e dyfishta të Perëndimit.

- Amerikanët luftojnë terrorizmin në mbarë botën, por në të njëjtën kohë mbështesin separatistët kosovarë, të cilët dëbuan pothuajse të gjithë popullatën serbe nga Kosova. Ne nuk duhet t’i ndajmë terroristët në të mirë dhe të këqinj. Ndërkohë që Uashingtoni e bën vazhdimisht këtë. Kjo është shumë e rrezikshme për mbarë botën.

Në Ballkan ka shumë terroristë, ata hedhin bomba dhe vrasin njerëz për hir të pavarësisë së Kosovës. Duhet luftuar medoemos kundër dhunës që përdor terrorin për të arritur qëllimet e veta. Në Kosovë ky parim vazhdon të veprojë edhe sot e kësaj dite. Më kryesorja është që ndaj kësaj të mos bëhet një sy qorr e një vesh shurdh dhe të mos kërkohet kompromis me terroristët, që duan të arrijnë pavarësinë me anë të vrasjes së mijëra njerëzve.

0Aktualisht shumë flasin për shfrytëzimin e mençur të Perëndimit nga ana e Gjingjiçit me qëllim të përmbysjes së Sllobodan Millosheviçit. Në Bruksel dhe në Uashington besonin se ai do të zbatonte me zell të madh të gjitha udhëzimet e tyre, por Zoran Gjingjiç nga një politikan i bindur në muajt e fundit të jetës së vet u shndërrua në një njeri kokëfortë, i cili e kuptonte për mrekulli se në qoftë se do të jepej Kosova, atëherë vendit të tij do t’i zhvateshin më pas edhe Vojvodina, edhe Sanxhaku. Në përgjithësi, Serbia do ta kthehej në një mini-shtet të bindur. Kurse një gjë të tillë serbët kryeneçë nuk do të mund ta falin kurrë.