0Ekspertëve u është krijuar përshtypja se bota po rrëshqet gradualisht në periudhën e feudalizmit, kur termi “kufi i mbyllur me dry” nuk është më thjesht një shprehje figurative, por në kuptimin e plotë të fjalës plotësisht real.

Konstruksioni i ngritur në kufirin turko-grek paraqet në vetvete një gardh, rrethojë metalike me tela me gjemba katër metra të lartë, që nuk mund të kapërcehet pa përdorimin e mjeteve mekanike. Për ndërtimin e saj janë shpenzuar 3 milionë €, më shumë se 6000 metra kub beton, 800 ton çelik dhe 370 kilometra tela me gjemba të llojeve të ndryshme.

Autoritetet greke besojnë se pas kësaj emigrantëve të paligjshme do t’i vështirësohet në mënyrë të qenësishme depërtimi në vend. Ata nuk do të kenë alternativë tjetër: ose të kapërcejnë rrethojën metalike, ose të kalojnë lumin me not. Rruga e tretë, më e rrezikshme, kalon përmes ngushticave që ndajnë brigjet e Turqisë nga një sërë ishujsh grekë. Atje ndodhin vazhdimisht fundosje të anijeve të ndryshme me emigrantë, shumë prej të cilëve thjesht nuk arrijnë t’i shpëtojnë dot në kohë.

Dhe grekët në këtë rast mund t’i kuptosh fare mirë. Pikërisht Greqisë i bie për pjesë më shumë se 80 për qind e emigracionit të paligjshëm në Bashkimin Evropian. Kufirin me Turqinë e kalojnë çdo ditë 200-300 emigrantë ilegalë. Ndërkohë në vetë Greqi evidentohen në rritje prirjet e së djathtës ekstreme. Prandaj autoritetet janë të detyruara të reagojnë. Muri i sigurisë është pjesë e të ashtuquajturit "plan i kundërveprimit intensiv". Përveç kësaj, qeveria greke po rreptëson legjislacionin. Në veçanti, është shfuqizuar ligji ekzistues që u lejon të marrin nënshtetësinë greke fëmijëve të emigrantëve të ligjshëm të lindur në Greqi.

Ndërkohë, autoritetet greke edhe vetë nuk besojnë shumë në efikasitetin e murit ndarës, duke i dhënë atij ekskluzivisht një kuptim simbolik. Muri nuk mundi të ndalojë fluksin e migrantëve në BE-në e përfshirë nga kriza serioze. Sepse gjendja në vende të tjera është edhe më e keqe. Në po atë Turqi aktualisht ndodhen rreth 800 mijë refugjatë sirianë. Gjatë 3-4 viteve të ardhshme ekspertët presin vërshimin e 1 milion emigrantëve në Evropë. Gardhi katër metra i lartë në kufi dhe lumi, i cili në periudhën e verës pothuajse shterron fare, nuk ka gjasa të ndalin këtë fluks të fuqishëm.

Mund të përmendim në vijim edhe një sërë shembujsh të tjerë të "mureve të sigurisë", të cilët kanë demonstruar tashmë efikasitetin e tyre të ulët. Për shembull, muri ndarës në mes të Izraelit dhe Palestinës. Ose ai ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës. Shembulli më i famshëm është Muri i Berlinit, të cilin autoritetet e Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ) e ngritën rreth e përqark Berlinit Perëndimor në gusht të vitit 1961.

0"Perdja e Hekurt" (çfarëdo lloj forme që të marrë ajo në çdo rast konkret) mbetet një instrument brutal, përdorimi i të cilit nuk ka çuar asnjëherë në rezultatet e dëshiruara. Pasi synimi për t’u ndarë me mur është një reagim spontan dhe krejtësisht iracional ndaj sfidave të reja. Kjo është pasojë e gabimeve ekonomike, politikës së neokolonializmit, shtrembërimeve të moralit publik.