0Ndërkohë disa studiues e frikësojnë gjindjen me një parashikim tjetër. Që në vitin 2014, sipas mendimit të tyre, do të fillojë ftohja e ndjeshme e motit, kurse më pas Epoka e re e akullnajave.

Shkencëtarët kanë marrë parasysh tendencën e përgjithshme në disa vitet e afërta, e cila mund edhe të mos konfirmohet në të ardhmen. Çfarë kataklizmash mund t’i presin njerëzit e planetit: shkrirja e akujve të Arktikut, apo në të kundërt, ngrirja e rrymës së Golfstrimit? Ka shumë të ngjarë që të vazhdojë ngrohja e ngadaltë, thotë Shefi i Laboratorit të klimatologjisë të Institutit të Gjeografisë të Akademisë Ruse të Shkencave, Andrei Shmakin:

- Në jetën e përditshme ajo është pothuajse e padukshme, e pandjeshme. Ngrohja mund të vërehet vetëm në serinë e regjistrimeve statistikore. Kur ne i analizojmë ato, atëhere llogarisim ndonjë prirje. Por kjo nuk do të thotë se çdo vit do të jetë më i ngrohtë se ai i mëparshmi - asgjë e tillë nuk do të ndodhë. Njëfarë ndryshueshmërie do të ketë vend sigurisht: herë më ftohtë, e herë më ngrohtë. Vetëm statistikat e tregojnë se ka vend tendenca për një rritje të temperaturës.

Nën ndikimin e veprimtarisë së njeriut në atmosferën e Tokës kohët e fundit ka ndryshuar cikliteti i periudhave të ftohjes dhe ngrohjes së klimës. Ajo që më parë mund të ndodhte gjatë një mijëvjeçari, tani ndodh vetëm për disa vite, konfirmon me bindje Drejtuesi i Programit të energjisë "Greenpeace i Rusisë" Vladimir Çuprov:

- Frekuenca e dukurive të rrezikshme vjen duke u rritur. Sepse njeriu me veprimtarinë e vet krijoi çekuilibër. Ngrohja globale është vetëm një indikator i këtij mosbalancimi. Temperatura po rritet. Ndoshta jo aq shpejt saç e patën parashikuar shkencëtarët. Por, ç’është për të ardhur keq, planeti nuk do të hyjë më në gjendjen e vet të mëparshme.

0Ekspertët e Bankës Botërore paraqitën një parashikim të tillë, sipas të cilit deri në fillim të shekullit të ardhshëm temperatura mesatare e ajrit do të rritet me 4 gradë Celsius. Kjo do të çojë në pasoja të pakthyeshme në formën e reduktimit të rezervave ushqimore botërore, shkatërrimit të ekosistemeve dhe ngritjes së nivelit të Oqeanit Botëror. Ndërkohë, sipas mendimit të shkencëtarëve, nuk janë humbur të gjitha shpresat. Gjithçka e nevojshme urgjente tani, hap me rëndësi të dorës së parë, është përpilimi i një program i ri efektiv për të luftuar ngrohjen globale. Ai duhet të zëvendësojë Protokollin e Kiotos tashmë të vjetëruar. Përveç kësaj, thonë ekspertët, evidentohet nevoja imediate e zhvillimit të "energjetikës së gjelbër", duke ndaluar prerjen barbare të pyjeve, që ka vend aktualisht në rajone të ndryshme të planetit, është i domosdoshëm përmirësimi i sistemit të purifikimit të ujërave të zeza, trajtimi mjedisor i ujërave të ndotura. Në fund të fundit, në qoftë se ne veprojmë me mençuri dhe në mënyrë energjike, shanset e një moti të mirë për njerëzimin në të ardhmen e afërt janë mjaft të mëdha.