0Ministri rus theksoi në mënyrë të veçantë se reforma e Këshillit të Sigurimit është një çështje mjaft delikate. Për zbatimin e saj është e nevojshme të arrihet në konsensus.

Diskutimet mbi reformimin e OKB-së kanë filluar faktikisht që nga viti i themelimit të Organizatës, në 1945. Herën e fundit Këshilli i Sigurimit i OKB-së u zgjerua nga 11 deri në 15 anëtarë në vitin 1965. Por gjatë kësaj nuk ndryshoi numri i anëtarëve të përhershëm me të drejtë vetoje të tij. Ata si dhe më parë janë pesë: Britania e Madhe, Kina, Rusia, SHBA-ja dhe Franca. Gjithë të tjerët, pra anëtarët jo të përhershëm, zgjidhen çdo vit në bazë të parimit të rotacionit nga përbërja e gjithë 193 vendeve anëtare.

Pothuajse të gjitha vendet e OKB-së besojnë se organizata ka nevojë për modernizimin e strukturave të veta. Por mosmarrëveshjet kryesore midis vendeve kanë të bëjnë me mënyrën se si pikërisht duhet bërë kjo. Dhe arritja e një konsensusi në lidhje me modernizimin e OKB-së, duhet thënë, është ende larg.

Përbërja e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të "reflektojnë pluralitetin e komunitetit botëror", tha Sergei Lavrov në një intervistë me kanalin televiziv “Russia Today”:

- Ne e mbështesim fuqimisht këtë reformë dhe jemi mëse të bindur se vendet në zhvillim, në radhë të parë, liderët e reja ekonomike dhe financiare, të tilla si, për shembull, India dhe Brazili, duhet të përfaqësohen në Këshillin e Sigurimit. Ne do të mirëprisnim pranimin e këtyre vendeve si anëtarë të rinj të përhershëm. Natyrisht, me kusht që të merret vendimi mbi krijimin e vendeve për anëtarët e rinj të përhershëm. Kjo çështje shkakton një përçarje të madh në gjirin e Kombeve të Bashkuara.

Vitet e fundit është diskutuar në mënyrë veçanërisht aktive çështja që ka të bëjë me shtimin e numrit të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për llogari të Brazilit, Gjermanisë, Indisë dhe Japonisë. Por kundër anëtarësimit të Japonisë në Këshillin e Sigurimit reagon ashpër, kategorikisht Kina. Në vend të Japonisë Pekini propozon përfshirjen e Afrikës Jugore.

Struktura e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka mbetur shumë prapa realiteteve të botës moderne, mendon Presidenti i Institutit rus të Studimeve Strategjike dhe Analizës, Aleksandër Konovallov:

- Se si saktësisht duhet realizuar përfshirja e anëtarëve të rinj - ky është një problem shumë i madh. OKB-ja edhe kështu është akuzuar shpesh herë për paaftësinë e vet për të marrë vendime konkrete. Kurse po të rritet numri i anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të saj me të drejtë vetoje, kjo do të komplikojë akoma dhe më shumë gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka probleme akoma dhe më serioze në lidhje me reformën thjesht sasiore, thotë Drejtori i Institutit Ndërkombëtar rus të Ekspertizës Politike, Eugjeni Minçenko:

- Edhe një problem tjetër i Organizatës konsiston në vetë faktin, se në vitet e fundit janë përdorur në mënyrë të përsëritur teknologji të tilla që kanë lejuar në përgjithësi injorimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fillimin e operacioneve ushtarake pa u konsultuar me të, madje me anashkalim të tij. Ka pasur edhe situata të tilla, kur Këshilli i Sigurimit ka miratuar rezoluta, të cilat më pas janë interpretuar në mënyrë shumë më të zgjeruar. Kjo pati vend në rastin e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi, veprim ky që përshkallëzoi në një operacion ushtarak në shkallë të gjerë.

0Bllok pengues kryesor është e drejta e vetos e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me ndihmën e saj ata mund të bllokojnë çdo vendim të Organizatës, të drejtë të cilën e kanë shfrytëzuar tashmë mëse një herë.