0Ky vit i paharrueshëm për Teatrin e Boris Eifman kaloi si një vargan i gjatë, i vazhdueshëm triumfesh në skenat e huaja. Trupa e këtij Teatri ka qenë me turne në Kinë, në Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Poloni, Itali, në Britaninë e Madhe, Austri dhe Australi. Dhe gjithkund spektaklet e tij kanë korrur vetëm fitore, recensione lavdëruese, komente impresionuese. Por shumicën e tyre e meritoi baleti i ri "Rodin". Kritiku amerikan me ndikim Darrell Wood parashikoi se spektakli do të hyjë në histori si një nga koreografitë më të mira të shekullit të 21-të. Në fakt, Boris Eifman që në kohën kur sapo e vinte në skenë "Rodin-in" e vet në intervistën me "Zërin e Rusisë" pak konfirmuar si vijon:

- Unë mendoj se ky spektakël do të ketë një sukses ndërkombëtar, sepse ai përmban pikërisht atë që pret sot audienca bashkëkohore nga baleti. Në të shpaloset një fat i mrekullueshëm, i ndritshëm dhe ndjenja të hapura, baleti ka një koreografi tejet ekspresive dhe dramë të fuqishme, gjuhë moderne kërcimi. Përveç kësaj ai është i ngjizur me dritë shumë të bukur, me dekor të sofistikuar dhe kostume të goditura. Të gjitha këto krijojnë një spektakël të mrekullueshëm teatror, të cilin e pret me kaq etje publiku.

Rrëfimi i jetës së skulptorit gjenial me anë të gjuhës së larmishme të kërcimit është një gjetje me të vërtetë e goditur, ekspresive. Boris Eifman thekson si vijon:

- Ne, sigurisht, operojmë me dinamikën e lëvizjeve, operojmë me magjinë e kërcimit. Por trupi i njeriut si një instrument i shprehjes së shpirtit njerëzor - kjo është pikërisht ajo ide që bashkon, sintetizon koreografin dhe skulptorin. Prandaj për mua ishte një kënaqësi e vërtetë të vija në skenë spektaklin kushtuar artistit, i cili është kaq i afërt me mua përkatësisht brendësisë së shpirtit, vetë natyrës së krijimtarisë së tij.

Në bazë të subjektit të baletit "Rodin" qëndron drama e marrëdhënieve të Auguste Rodin dhe nxënëses së tij, të dashurës së adhuruar dhe muzës së skulptorit, Camille Claudel. Kështu që përpara interpretuesve të roleve kryesore Boris Eifman shtroi, në radhë të parë, detyra psikologjike, dhe vetëm pastaj detyrat e teknikës së kërcimit. Ja se çfarë thotë kërcimtari që luan rolin e Rodin-it, Oleg Gabishev:

- Për mua, “Rodin” është, mbi të gjitha, loja, roli aktorial. Teknikisht ai është i mbushur jo me elemente kërcimi, pirueta e figura të tjera, por pikërisht me imazhe plot figurativitet. Dhe unë e pata shumë të vështirë për t'iu qasur kësaj shprehjeje, për të treguar se si nga trupat njerëzorë ne bëjmë skulptura.

Për balerinën Ljubov Andrejeva mishërimi i rolit të Camille Claudel kërkoi një punë intensive dhe kreative jo vetëm në parketin e baletit:

- E pranoj sinqerisht se deri para fillimit të punës për realizimin e këtij spektakli unë nuk e kam ditur se kush ishte në të vërtetë Camille Claudel. Kur më besuan rolin e saj unë fillova të lexoj libra kushtuar kësaj figure, pashë edhe një film mbi jetën e saj. Pra, unë nisa të zhvilloj jo vetëm plastikën, por edhe anën time shpirtërore.

0Së shpejti baleti "Rodin" do të dalë në formatin e regjistrimit në DVD, të përgatitur nga qendra multimediale e Teatrit të Baletit të drejtuar nga Boris Eifman.