0Konferenca e madhe për shtyp e Vladimir Putinit është një dukuri me të vërtetë unikale në politikën botërore. Pakkush nga homologët e Presidentit rus ka kurajon jo vetëm të komunikojë me përfaqësuesit e shtypit për disa orë rresht, por dhe të përfshijë gjatë kësaj një spektër kaq të gjerë çështjesh. Ky opinion u shpreh nga profesori i Fakultetit të Historisë të Universitetit të Sao Paulo (USP), Angelo Segrillo:

- Gjëja e parë që habit me të vërtetë një të huaj në konferencën për shtyp të Putinit është kohëzgjatja e saj. Unë do të thoja se kjo ishte një mega-intervistë, e cila zgjati më shumë se 4 orë. Dhe është mjaft interesant fakti se gjatë konferencës për shtyp u prek dhe u ndriçua një rreth shumë i gjerë problemesh. Dhe duhet thënë, nga çështjet më serioze, madje neuralgjike, të tilla si ajo e birësimit të jetimëve rusë nga amerikanët dhe reagimi i Dumën Shtetërore ndaj miratimit prej Kongresit të SHBA-së të të ashtuquajturit “Ligj i Magnitskit”, deri tek momentet tejet informale, njerëzisht të ngrohta, si ai kur një gazetare i përcolli Presidentit urimet dhe i dorëzoi dhuratat e mësuesve të parë të Vladimir Putinit nga shkolla ku ai pat mësuar dikur.

Pozicioni i Rusisë në lidhje me Sirinë mbetet një nga më adekuatët, deklaroi në intervistën me "Zërin e Rusisë" analisti politik nga Iraku, Faleh al-Hamrani. Në këtë mënyrë e komentoi ai deklaratën e Vladimir Putinit mbi situatën në Lindjen e Mesme. Gjatë konferencës për shtyp Presidenti rus deklaroi se problemi sirian mund të zgjidhet vetëm me rrugë paqësore. Të gjitha vendet e tjera, ndryshe nga Rusia, ndjekin qëllime egoiste në Siri, mendon Faleh al-Hamrani. Dhe, sipas fjalëve të tij, kjo situatë është një përsëritje e asaj që tashmë ka patur vend më parë në Irak:

- Unë vetë jam nga Iraku dhe këtë mendim timin e mbështesim miliona qytetarë irakianë. Kur Shtetet e Bashkuara ndërmorrën intervencionin në Irak, qëllimi i tyre nuk ishte aspak ndërtimi i demokracisë atje dhe dhënia e ndihmës popullit irakian për të hyrë në rrugën e zhvillimit. Gjëja më e rëndësishme për SHBA-të, dhe këtë e ka konfirmuar tashmë në mënyrë mëse evidente historia nga viti 2003 e deri në ditën e sotme, është nafta e Irakut, pasuritë e Irakut si dhe pozicioni strategjik i tij. SHBA-të donin ta neutralizonin Irakun, me qëllim që ai të mos ishte një shtet i fortë. Plani, i cili u parashtrua publikisht nga Presidenti Putin për Sirinë, është shumë i arsyeshëm dhe shumë i saktë, i drejtë. Ai përsëriti edhe një herë se Rusia nuk ka interesa të mëdha në këtë vend dhe se ajo nuk preokupohet për personalitetin e Presidentit të Sirisë, por shtron me të drejtë pyetje: çfarë do të ndodhë nëse Bashar Al-Assadi do të largohet me forcë nga posti i vet? Atëherë vendi do të zhytet në kaos të plotë dhe do të përfshihet në mënyrë të pashmangshme në vorbullën e luftës civile.

0Konferenca e madhe për shtyp e Vladimir Putinit ka zgjatur 4 orë 33 minuta. Gjatë kësaj kohe 62 gazetarë arritën t’i drejtojnë Presidentit 81 pyetje. Ato kishin të bënin jo vetëm me politikën e jashtme, por edhe atë të brendshme të Rusisë si dhe me problemet më të rëndësishme, më të mprehta sociale të vendit.