0Dimri i ftohtë, sipas fjalëve të Zëvendës drejtorit të Përgjithshëm të Institutit rus të Strategjisë Energjetike, Aleksei Gromov, po i detyron përsëri evropianët të rrisin konsumin e gazit natyror:

- Dimri këtë vit në dhjetor është jashtëzakonisht i ashpër. Dhe nuk ka asnjë arsye që të supozohet se janari dhe shkurti do të jenë më pak të rëndë për Evropën. Edhe një tjetër komponent i rëndësishëm është çmimi. Në gjysmën e dytë të 2012 parashikimi i çmimeve për vitin 2013 u korrektua në drejtim të rënies. Ky është një sinjal i mirë për konsumatorët evropianë.

Sipas informacionit të përhapur në media, vitin e ardhshëm çmimi mesatar i gazit rus duhet të arrijë në 370 $ për 1000 metra kub. Megjithëse që në pranverë koncerni “Gazprom” pat parashikuar çmimin mesatar vjetor në nivelin 405-415 dollarë për 1000 metra kub. Ja se çfarë thotë Drejtori i Fondit rus të Sigurisë Energjetike Kombëtare, Konstantin Simonov:

- Politika e rregullimit, korrektimit të çmimeve po ndiqet tashmë që prej tre vjetësh. “Gazprom” po u bën lëshime të vazhdueshme konsumatorëve të vet. Në fakt, të gjithë blerësit e gazit rus kanë përfituar ulje çmimesh me anë të ndryshimit të kontratave. Ndërsa disa prej tyre kanë përfituar edhe dy herë ulje çmimi. Madje dhe vende të tilla problematike si Polonia, këtë vit kanë marrë një zbritje prej 16% për gazin rus.

Shumë ekspertë besojnë se politika e çmimeve është një çështje kyçe në marrëdhëniet midis “Gazprom-it” dhe klientëve të tij në Botën e Vjetër. Evropianëve nuk u vjen aspak për mide praktika e lidhjes së kontratave afat-gjata, kur çmimet e gazit janë të ndërlidhura me ato të naftës. Ata duan që “Gazprom-i” të kalojë në të ashtuquajturat çmime spot, kur kostoja e gazit përcaktohet në bursat e shitjes.

Megjithatë, çështja kryesore tani është të perceptohet - do të rrisë vallë Evropa konsumin e gazit, apo sa të bjerë i ftohti kërkesa do të reduktohet vetëvetiu. Konstantin Simonov vazhdon si më poshtë vijon:

- Nëse nuk do të flasim konkretisht për vitin e 2013, por për situatën në të ardhmen, mendoj se konsumi i gazit natyror në tregun evropian do të vijë duke u rritur. Për këtë shprehen vetë evropianët. Këtu, në tregun në rritje e sipër, është e rëndësishme të ruash, të mbash fort pjesën tënde. Prandaj damping nuk është strategjia më e mirë. Është e domosdoshme që të bëhen me kujdes koncesione të arsyeshme. Por ulja e çmimit në dy ose tre herë është e pakuptimtë, madje budallallëk i madh.

0Faktor kryesor në të ardhmen nuk do të jetë moti dhe bile as politika e çmimeve e furnizuesve të lëndëve hidrokarbure, por gjendja e ekonomisë së Botës së Vjetër. Viti i ardhshëm 2013 premton të jetë i vështirë - rritja ekonomike, sipas parashikimeve të ekspertëve, mund të luhatet rreth 1%. Megjithatë, katastrofa të tilla si rënia, shpërbërja e eurozonës, po ashtu si dhe thellimi i krizës, nuk priten. Injeksionet në ekonomi dhe programet e reduktimit të shpenzimeve do të japin, si përfundim, një rezultat pozitiv.