0Ky festival - më i riu ndër gjithë festivalet muzikore të kryeqytetit rus - startoi vitin e kaluar. Si model për organizimin e tij shërbeu Festivali i famshëm i Muzeut moskovit të Arteve të Bukura "Mbrëmjet e dhjetorit të Svjatosllav Rihterit". Ja se çfarë tregon për këtë aktivitet të mrekullueshëm kulturor Drejtuesi i Festivalit të Krishtlindjeve Aleksandër Abramov:

- Ne shprehëm dëshirën që të vazhdojmë traditën e madhe të Svjatosllav Rihterit, vetëm se kësaj here në një plan më të gjerë. Ne kemi një spektër shumë të gjerë aktivitetesh: koncerte simfonike, koncerte me muzikë dhome, koncerte korale. Ne madje vendosëm të shfrytëzojmë shansin për ta mbyllur festivalin me një koncert me organo. Dhe mendojmë se kjo do të jetë një nga nuancat më të larmishme, më impresionuese muzikore të tij.

Festivali është i hapur për çdo instrument muzikor. Vepron një kufizim i vetëm: autori, muzika e të cilit do të ekzekutohet, duhet t’i përkasë traditës klasike. Për shembull, si Mozart dhe bashkëkohësit e tij Boccherini e Fatsius, veprat e të cilëve do të performohen në Festival nga Orkestra moskovite e Muzikës së Dhomës «Musica viva». Drejtuesi i kolektivit muzikor në fjalë, violonçelisti dhe dirigjenti Aleksandër Rudin, në intervistën me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" në këtë mënyrë e shpjegoi përzgjedhjen e programit të festivalit:

- Avantazhi kryesor i muzikës së asaj periudhe, përse dhe na tërheq kaq shumë të gjithë ne ajo, është ndoshta njëfarëlloj ekuilibri, harmonie, një thjeshtësi e caktuar dhe natyraliteti i saj. Është pikërisht ajo që të gjithëve ne tani, në përgjithësi, na mungon shumë.

Festivali i Krishtlindjeve i muzikës klasike do të paraqesë jo pak ekzekutues të njohur dhe grupe të famshme. Në mesin e tyre është një nga artistët më të kërkuar sot, dirigjenti rus Vladimir Jurovski dhe pianisti me famë botërore Andrei Gavrillov. Këta muzikantë me Orkestrën "Filarmonia ruse" do të debutojnë në hapjen e festivalit. Zgjedhja e tyre - vepra e Sergei Rahmaninov (Rachmaninoff). Ky koncert është interesant, para së gjithash, me vetë faktin se Andrei Gavrillov, i cili jeton jashtë shtetit, rrallë vjen në Moskë. Ndërsa në kryeqytetin rus atë e presin qindra artëdashës, adhurues të tij që nga kohërat kur, në vitin 1974, muzikanti fitoi në mënyrë të shkëlqyer Konkursin “Çajkovskij” (“Tchaikovsky). Kështu që për Andrei Gavrillovin takimi me audiencën e atdheut të vet do të jetë njëfarë udhëtim i vogël me një makinë kohe. Edhe pse ai vetë ndaj idesë së kësaj shpikje fantastike mban qëndrim skeptik:

- Unë nuk kam absolutisht asnjë dëshirë për të hipur në një makinë kohe me qëllim që të takohem për të pirë një filxhan kafe me Beethoven ose Mozart. Takimi personal do të shndërrohej atëhere në një komunikim formal dhe nuk do të jepte asnjë rezultat. Ndërsa kur hap partiturën - pikërisht këtu dhe fillon komunikimi, miqësia e vërtetë: edhe me Beethoven, edhe me Mozart, edhe me Rachmaninoff.

0Partiturat e klasikëve do të shpalosen në Festivalin e Krishtlindjeve për tre javë rresht: nga 19 dhjetori e deri më 10 janar të vitit të ri 2013.