0Komiteti Olimpik i Rusisë tashmë ka përpiluar listën e fituesve potencialë të Lojrave Olimpike Dimërore në Soçi. Në të janë përfshirë kampionët e sezonit të kaluar. Këtë dimër do të zhvillohen kampionate botërore praktikisht në të gjitha llojet e sporteve dimërore. Në bazë të rezultateve të tyre, në kategorinë e pretendentëve për medalje olimpike mund të hyjnë edhe disa dhjetëra sportistë. Për të gjithë kandidatët potencialë të medaljeve olimpike do të përpunohen programe të veçanta trajnimi, ata do të stërviten sipas planeve individuale nën drejtimin e trajnerëve më të mirë. Detyra kryesore e shtruar para nesh - të fitohen sa më shumë medalje, deklaroi Presidenti i Komitetit Olimpik të Rusisë Aleksandër Zhukov:

- Qëllimi i këtij programi gjithëpërfshirës është sigurimi i vendit të parë në renditjen ekipore jozyrtare në Lojrat e 22-ta Olimpike Dimërore në Soçi. Në Komitetin Olimpik Kombëtar (KOK) është miratuar për herë të parë lista e emrave të sportistëve konkretë, të cilët pretendojnë realisht për medaljet e Lojërave Olimpike në Soçi në bazë të rezultateve të sezonit. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, për të luftuar për vendin e parë në kualifikimin e përgjithshëm ekipor skuadrës sonë përfaqësuese, deri në fillimin e Lojrave Olimpike Dimërore, i duhen së paku 80 pretendentë për medalje.

Rusia po ndryshon jo vetëm strategjinë e trajnimit të sportistëve të saj, por dhe traditën olimpike të dorëzimit të medaljeve. Të gjithë fituesit e Olimpiadës Dimërore 2014 në Soçi do t’i nderojnë në një piedestal të veçantë të vendosur mu në qendër të Parkut Olimpik, tregon Kryetari i Komitetit Organizues "Soçi-2014" Dimitri Çernishenko:

- Parku Olimpik po vjen duke marrë gradualisht konturet e veta. Sipërfaqja e tij është mbi 200 ha, platformë kjo e krahasueshme me parkun e Londrës. Parku ynë është i aftë të akomodojë deri në 120.000 persona. Për herë të parë në historinë e Lojrave Dimërore do të vendosen fare pranë njëri-tjetrit të gjithë pallatet e pistave të akullit. Kurse të gjitha ceremonitë e dorëzimit të medaljeve olimpike do të zhvillohen jo në objektet sportive, por në Sheshin e Medaljeve (emri zyrtar Medals Plaza).

Siç thonë organizatorët e Olimpiadës, ky vendim do të ndihmojë për të reduktuar maksimalisht kohën mes dy garave sportive dhe ceremonive të dorëzimit të medaljeve - punonjësit e objekteve sportive nuk do të jenë më të detyruar të nxitojnë për ngritjen e piedestaleve.

0Në Lojrat Olimpike Dimërore në Soçi do të zhvillohen garat sportive për një numër rekord çmimesh - 98 komplete medaljesh. Kjo shifër nënkupton 12 medalje më shumë se në Olimpidën e mëparshme Dimërore në Vankuver.