Pop-këngëtari Justin Bieber për pak sa nuk u bë viktimë e një fansi të tij. Dana Martin, i cili po vuan një dënim për vrasje, "porositi" kriminelë të tjerë duke i udhëzuar ata që fillimisht ta tredhin dhe pastaj ta mbysin Bieber-in me kravatë. Pastaj vetë porositësi i vrasjes i kallëzoi ekzekutuesit në polici, pasi u mërzit me ta për shkak se këta të fundit dështuan në realizimin e planit të hartuar prej tij.

45-vjeçari Dana Martin është duke vuajtur dy dënime me burgim të përjetshëm për përdhunimin dhe vrasjen e një 15-vjeçareje. Kur krimineli u njoh me aktivitetin artistik të Justin Bieber, ai u bë admiruesi i tij i zjarrtë dhe vazhdimisht përpiqej të kishte korrespondencë me yllin e muzikës pop, por nuk ia arriti qëllimit dhe vendosi të marrë hak ndaj idhullit të tij.