0Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë deklaroi: lëshimi i raketës nga ana e Koresë së Veriut shkakton keqardhje të thellë. Sepse ai u realizua në kundërshtim të plotë me mendimin e komunitetit ndërkombëtar dhe me injorimin e thirrjeve të bëra nga Rusia. Në Moskë vunë në dukje se Pheniani ka shkelur rezolutën e Këshillit Sigurimit të OKB-së, e cila i ndalon Koresë së Veriut lëshimet e raketave me përdorimin e teknologjive balistike.

SHBA, Japonia dhe Koreja e Jugut e kanë dënuar fuqishëm lëshimin e raketës. Në Korenë e Jugut, në një takim urgjent të Këshillit të Mbrojtjes Kombëtare, lëshimi i raketës me satelit u cilësua si rrezik kërcënues për paqen në Gadishullin Korean dhe në mbarë planetin. Tokio i ka shprehur një protestë serioze Phenianit dhe keqardhjen e vet më të thellë në lidhje me lançimin e raketës. Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të ministrave të Japonisë, Osamu Fujimura, u shpreh për aplikimin e sanksioneve suplementare të OKB-së ndaj Koresë së Veriut. Administrata e SHBA-së e quajti lëshimin një akt provokues. Shtëpia e Bardhë deklaroi se shkelja nga Pheniani e një sërë rezolutave të OKB-së do të jetë e mbarsur me pasoja serioze për RPDK-së.

Duke komentuar shqyrtimin e këtij problemi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së Drejtor i Qendrës ruse për studimin e programeve koreane të Institutit të Ekonomisë, Georgi Tolloraj, deklaroi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" si vijon:

- Ne, në Rusi, në logjikën e arsyetimeve tona nisemi nga fakti se rezolutat duhet të respektohen, se vendimet e OKB-së duhet të zbatohen medoemos. Ne besojmë se Koreja e Veriut ka të drejtë për eksplorimin e hapësirës kozmike, por vetëm pas rregullimit të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me sanksionet e OKB-së, të cilat i ndalojnë asaj përdorimin e teknologjive balistike. Prandaj është e nevojshme në këtë rast të dallohen dy çështje - ne mbështesim diskutimin e problemit në fjalë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por nuk mendojmë se kjo nënkupton automatikisht rreptësimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut. Unë jam i prirur të mendoj se Kina do të mbajë një qëndrim më të përmbajtur, më të rezervuar ndaj ndëshkimit të DPRK-së.

0Qendra kryesore e Rusisë për paralajmërimin e sulmeve raketore fiksoi lëshimin e raketës së Koresë së Veriut të mërkurën në mëngjes. Sipas informacionit të saj, faza e parë e raketës ra në Detin Verdhë, e dyta - në Detin e Kinës Lindore, kurse faza e tretë - në Oqeanin Paqësor. Të tre vendet e rënies së tyre ndodheshin rreth 200 kilometra larg territoreve të Koresë së Jugut dhe Filipineve. Të gjitha fragmentet e raketës ranë në ato rajone, koordinatat e të cilave iu paraqitën që më parë organizatave përkatëse ndërkombëtare nga Pheniani.