0Në këtë konferencë shkencore ishte i pranishëm Drejtori i Institutit të Sllavistikës, Konstandin Vladimiroviç Nikoforov, studiuesi i njohur rus i historisë shqiptare të afro 6 dekadave të fundit, Grigori Arsh si dhe punonjës të tjerë shkencorë rusë. Nga pala shqiptare morrën pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova, Nën Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Akademiku Muzafer Korkuti etj. Punimet e kësaj konference i ndoqi edhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në FR, z. Sokol Gjoka.

Në fjalën e tij përshëndetëse në hapje të konferencës, Drejtori i Institutit të Sllavistikës, z. Nikoforov, vlerësoi zhvillimin e saj me një tematikë kaq të veçantë, e cila përkonte edhe me 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai tha se veprimtari shkencore me tematikë shqiptare janë zhvilluar edhe më parë në këtë Institut, por, nënvizoi ai, veprimtari të përmasave të tilla, si kjo e sotmja, nuk janë organizuar ndonjëherë më parë. Drejtori Nikiforov shprehu gadishmërinë e institucionit që ai drejton për të zhvilluar marrëdhënie bashkëpunimi me institucione homologe shqiptare, duke iu referuar edhe vizitës së tij në Shqipëri në muajin maj të këtij viti.

Ambasadori Gjoka, në fjalën e tij, në vijim, e vlerësoi mjaft organizimin e një konferencë të tillë kushtuar 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndikimit të saj në zhvillimet ballkanike, duke e konsideruar atë si një ogur të mirë për të nxitur bashkëpunimin mbi baza konkrete edhe në fushën e shkencës. Eshtë me interes ballafaqimi i mendimeve midis shkencëtarëve të të dy vendeve tona, tha Ambasadori shqiptar. Kjo do të ndihmojë jo vetëm në shkëmbimin e nevojshëm të informacionit të munguar, në gjetjen e burimeve të reja shkencore në fushën e historisë, por, ajo që është më e rëndësishmja, në orientimin e tyre drejt së vërtetës historike, drejt realitetit të pamohueshëm. Ambasadori Gjoka evokoi ngjarjen më të madhe në histroinë e popullit shqiptar, shpalljen e Pavarësisë, duke sjellë në vemendjen e të pranishmëve në sallë pjesëmarrjen e pothuajse të gjithë përfaqësuesve të trojeve autoktone shqiptare në takimin e tyre në Vlorë, të drejtuar nga patrioti i shquar, Ismail Qemal Bej Vlora, të cilët “shpallën mevehtësinë e Shqipërisë”. Ky akt i rëndësishëm historik u shoqërua edhe me ngritjen e flamurit shqiptar në pothuajse të gjitha qytetet shqiptare që banoheshin nga shqiptarë, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Ambasadori shqiptar në Rusi iu referua më pas edhe qëndrimit të Perandorisë Ruse të kohës ndaj shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë si dhe ecurisë së marrëdhënieve tona dypalëshe deri në ditët e sotme.

Në këtë konferencë e mori fjalën, për palën shqiptare, edhe Akademiku Muzafer Korkuti, i cili foli për ekspeditat e gjeologëve rusë në Shqipëri, kryesisht, për zbulimet arkeologjike në Apolloni dhe Orikum, Drejtori i Institutit për Studime Politike në Shqipëri, doktori i shkencave dhe studiuesi Islam Lauka, i cili foli për tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike të shqiptarëve. Z. Lauka tha se diversiteti fetar i shqiptarëve është pjesë e identitetit kombëtar të tyre, një vlerë etnoidentifikuese, ndërsa toleranca ndërfetare dhe ndëretnike, shprehje e mendësisë së tyre përfshirëse.

Mbi 15 studiues rusë, që morrën fjalën në këtë konference, trajtuan një sërë çështjesh që kishin të bënin me zhvillimet historike në Shqipëri, ndikimin e tyre në zhvillimet ballkanike, pasqyrimin e tyre nga historiografia ruse etj. Me interes ishin temat: “Shqipëria në veprat e studiuesve rusë të sllavistikës të para revolucionit”, nga albanologu i njohur rus, G. Arsh; “Lufta dhe Pavarësia e popullit shqiptar në veprat e shkencëtarëve sovjetikë dhe rusë”, nga S. Dancenko; “Shqipëria në skenarët gjeopolitikë të fqinjëve ballkanikë dhe fuqive të mëdha”, nga P. Iskanderov; “Sanxhaku i Dibrës dhe Tanzimati në fillim të viteve ’60 të shek. XIX”, nga M. Frolova; “Shqipëria e veriut në planet politike të Serbisë të viteve ’60 të shek. XIX”, nga A. Karasjov; “Marrëdhëniet shqiptaro-malazeze në fillim të shek. XX. (sipas raporteve të diplomatëve rusë)”, nga N. Strunina; “Marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase në perspektivën historike”, nga M. Jambaev; “Faktori shqiptar në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Ballkan në fillim të shek. XX”, nga O. Aganson etj.

0Të gjitha kumtesat u ndoqën me vemendje nga të pranishmit. Ato u shoqëruan edhe me pyetje, diskutime e debate. Instituti i Sllavistikës i Akademise së Shkencave të FR do të përgatisë një botim të veçante me të gjitha kumtesat shkencore dhe fjalët përshëndetëse mbajtura në konferencën kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, libër i cili pritet të dalë nga botimi vitin e ardhshëm.