Gjykata e Lartë ekonomike e Ukrainës konfirmoi pafajësinë e ushtarakëve ukrainas në rrëzimin e avioni rus “Tu-154” në vitin 2001, gjatë rrugës së tij nga Tel Avivi për në Novosibirsk.

Në këtë mënyrë Ukraina shprehu faktikisht mospajtimin me komisionin e Komitetit Ndërshtetëror të Aviacionit (KNA), i cili vendosi se avioni mbi Detin e Zi u godit nga një raketë e lëshuar prej ushtarakëve ukrainas, të cilët e ngatërruan avionin e pasagjerëve me një objektiv mësimor. Si rezultat i rrëzimit të avionit humbën jetën 66 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.

Pak kohë pas tragjedisë Ukraina, pa pritur rezultatet e hetimit, u pagoi familjeve të viktimave kompensimin prej 200 mijë $ për çdo viktimë. Dëmin e kompanisë ajrore ruse “S7”, e cila realizoi transportimin, autoritetet ukrainase nuk e kanë shlyer akoma.