0Bisedën tonë ajo e filloi duke më rrëfyer për veten:

- Unë i kam mbushur të 82 vjeçët, jam veterane e Luftës së Dytë Botërore, kam luftuar kundër nazistëve - kur isha vajzë fare e re u përfshiva në lëvizjen e Rezistencës. E kam njohur mirë personalisht Marshal Tito-n, mbaj mend për mrekulli periudhën e pushtimit nazist, pushkatimet e banorëve paqësorë.

Natyrisht, biseda jonë u fokusua në kujtimet Borka Vuçiç rreth asaj, se si kanë jetuar njerëzit gjatë kohës së drejtimit të Mareshal Tito-s:

- Kur Jugosllavia udhëhiqej nga Josif Broz Tito standarti i jetesës ishte shumë i lartë në vend, madje më i lartë se në vitet ‘60 në Itali dhe Spanjë. Ne kishim një ekonomi mjaft të begatë me zhvillim dinamik, ne merrnim kredi dhe bënim intensivisht investime në degët e industrisë dhe bujqësisë. Pasi u ndodha në nivelin më të lartë të pushtetit politik dhe financiar, unë u njoha me elitën bankare të gjithë botës - sepse Jugosllavia ishte udhëheqëse e Lëvizjes së të Painkuadruarve, dhe ne takoheshim me shumë sheikë të naftës dhe bankierë të mëdhenj.

Unë kam qenë një nga drejtueset kryesore financiare të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ-së) dhe Kryetare e Bankës anglo-jugosllave. Ajo u themelua në vitin 1979 dhe ndodhej në Londër. Në total unë kam krijuar shtatë banka me kapitalin tonë dhe kapitalet e huaja në Londër, Paris, Frankfurt, Vjenë, Nju Jork. Kurse në fillim të viteve ‘90 mua më thirrën urgjentisht në Londër dhe më thanë se SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë ndërmend t’i mbyllin bankat e përziera dhe të tërheqin prej tyre kapitalet e veta. Kështu, duke marrë vendimin për të filluar shpërbërjen e Jugosllavisë, Shtetet e Bashkuara na bënë ne debitorë. SHBA-ja bëri gjithçka të mundur që industria jonë të rreshtë së funksionuari, që ne të mos kishim më produkte të tilla, të cilat mund t’ia ofronim konsumatorëve të huaj. Eksport vendi nuk kishte më, ndërkohë që u krijuan borxhe të mëdha. Po zhvillohej lufta e pamëshirshme bankare - duhej të shkatërrohej me çdo kusht ekonomia serbe, të shkaktohej pakënaqësi në rritje në radhët e njerëzve që humbisnin punët e tyre.

Pas bllokadës financiare, me mbështetjen e Perëndimit, në Ballkan filloi tashmë lufta e vërtetë. Borka Vuçiç i bëri vlerësimin e vet këtyre ngjarjeve:

- Lufta e vitit 1991, më pas lufta në Bosnjë dhe agresioni i NATO-s në vitin 1999, e shkatërruan përfundimisht vendin. Kombet u shpërndanë nëpër qoshet e tyre, njerëzit rreshtën së punuar normalisht. Shumë serbë humbën tokat e veta amëtare në Bosnjë, Kroaci, Kosovë dhe u shndërruan në refugjatë të mjerë. Në vitin 1999 trupat e NATO-s shpartalluan jo vetëm infrastrukturën e vendit, ata vranë madje dhe fëmijë. Në maj të vitit 1999 në urën e Varvarës piloti natovian lëshoi një raketë mbi dy vajza që po shkonin në kishë. Si pasojë u vra matematikania më e mirë e Jugosllavisë, ajo ishte fituese e disa konkurseve ndërkombëtare dhe olimpiadave të matematikës. Tek ne deri tani nuk është vlerësuar dëmi i shkaktuar prej bombardimeve të NATO-s, aktualisht gjithnjë e më shpesh evidentohen njerëz që vuajnë nga kanceri i gjakut, ka shumë fëmijë të sëmurë, kombit i janë shkaktuar dëme serioze gjenetike. Pasojat e kësaj lufte ne do të vazhdojmë t’i ndjejmë edhe për një kohë shumë të gjatë.

0Kjo intervistë është regjistruar në pranverë të vitit 2009 në Beograd. Disa muaj pas takimit tonë, më 1 gusht të vitit 2009 në afërsi të qytetit të Nishit, Borka Vuçiç vdiq tragjikisht në një aksident automobilistik.