0Atij nuk i pëlqen aspak të flasë për sferën e politikës. Megjithatë me gazetarin rus, i cili ka punuar për shumë vite në Ballkan, ai bisedoi në lidhje me problemet që aktualisht preokupojnë jo vetëm atë, por dhe shumicën e banorëve të rajonit të Ballkanit. Ja se çfarë mendon Emir Kusturica për vendin në të cilin u lind, u rrit dhe që u shpërbë para syve të tij:

- Keqardhjen më të madhe e provoj për atë Jugosllavi. Ajo nuk ishte as Lindje dhe as Perëndim. Unë kam mall, nostalgji të thellë për atë vend. Ai ishte një vend çelik i fortë. Me shpërbërjen e tij, me copëtimin në pjesë të vogla, ne përfituam një Ballkan të paqëndrueshëm, i cili ka qenë gjithmonë nën survejimin e kujdesshëm të shërbimeve të ndryshme të zbulimit. Ato u jepnin këshilla e rekomandime politikanëve të rinj se çfarë tërmetesh duhej të organizonin atje.

Tani, kur jam bërë njeri më i maturuar, unë po i afrohem gjithnjë e më shumë ideve të hershme të krishtere, ideve komuniste. Kapitalizmi i tanishëm, kur njeriu mund të bëhet shumë e pasur, mua po më tërheq, po më intereson gjithnjë e më pak. Kriza financiare, nga e cila tani është duke vuajtur e gjithë bota, ka treguar se një person mund të bëhet po aq i pasur saç ishin dikur faraonët. Demokracia, e cila destinohet për të mbajtur vijën e mesme, e cila jep të drejtën e zgjedhjes, mundësinë për të bërë një jetë normale, e ka humbur fuqinë e saj. Tani në botë sundon demokracia, në të cilën faraonët bashkëkohorë vijnë duke u bërë akoma dhe më të pasur e më të fortë. Ata e injorojnë demokracinë.

Më tej biseda jonë kaloi tek tema e marrëdhënieve midis ish republikave të Jugosllavisë. Ne folëm edhe mbi atë që kishte vend më parë dhe atë që po ndodh tani në Ballkan:

- Ne i dhamë Evropës fuqinë punëtore që ndërtoi Evropën. Sepse në fillim të viteve ‘60, kur Tito u hapi dyert për të dalë jashtë shtetit serbëve, kroatëve, sllovenëve, maqedonasve dhe përfaqësuesve të popujve të tjerë të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ-së), ne, jugosllavët, kemi marrë pjesë mjaft aktivisht në krijimin e Evropës bashkëkohore. Kurse pastaj filloi lufta për pushtet në çdo republikë të RSFJ-së, u shfaqën nacionalistët, dhe gjithkund serbët nisën t’i dëbojnë. Serbët iu nënshtruan spastrimit etnik në Kroaci. Më shumë serbë - 300.000 vetë - brenda disa ditëve, gjatë operacionit "Stuhia" në verën e vitit 1995, u dëbuan nga vatrat e tyre dhe toka e vet. Dhe të gjithë heshtën. Por kjo, nuk e di se për ç’arsye, në shumë libra në Evropë nuk është quajtur fashizëm dhe gjenocid. Historinë po e ribëjnë, po e rishkruajnë për të mos treguar të vërtetën në lidhje me çfarë ka ndodhur në Ballkan...

Bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999 Emir Kusturica e cilëson si një nga aktet më barbare kundër vendit të tij:

- Në Bruksel i quajtën këto bombardime operacion humanitar për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës. Por bombardimeve iu nënshtrua edhe vetë Kosova. Atje janë vrarë edhe shqiptarë, edhe serbë, edhe romë, edhe rusinë. Perëndimi, i fortë dhe i gjithëpushtetshëm, i lejon vetes të abuzojë me kombet vogla. Kosova, Bosnja - këto territore strategjike janë jashtëzakonisht të rëndësishme për Evropën. Pse janë kaq të rëndësishme? - do të pyesni ju. Sepse duhet të ndalohet me çfarëdolloj çmimi ndikimi i Rusisë në Ballkan. Nëpër libra shkruajnë se Perandoria Osmane u krijua artificialisht me mbështetjen e Britanisë së Madhe vetëm që Rusia të mos hynte në Ballkan.

0Tani na thonë se në qoftë nuk jeni me ne, atëhere jeni kundër nesh. Të marrim, për shembull, bombardimin e Jugosllavisë në vitin 1999 për shkak të Kosovës. Figura e Millosheviçit ishte vetëm pretekst, po ashtu si vrasja e Princit trashëgimtar të Austro-Hungarisë, Franc Ferdinand, në Sarajevë nga serbo-boshnjaku Gavrilo Princip, që shërbeu si shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Në fakt, kjo është teoria ime personale, qëllimi ishte ndryshimi i kufijve të Evropës Perëndimore nga Gjermania në Kosovë. Kufiri i ri ushtarak, me të cilin spekulojnë të gjithë përmes softuerit dhe Hollywood-it.