0Në historinë e marrëdhënieve reciproke të Moskës dhe Kabulit ka patur faqe të ndryshme. Kanë ekzistuar edhe kohëra të tilla kur afganët e konsideronin Rusinë, ndërsa më saktë Bashkimin Sovjetik, si "vëllanë e vet të madh". Pas ardhjes në pushtet të Muxhahidëve në këtë vend për kurrfarë fqinjësie të mirë as që mund të bëhej më fare fjalë. Afganistani i sotëm paraqet në vetvete një rajon mjaft të komplikuar, të përfshirë tërësisht në vorbullën e luftës së vazhdueshme civile. Por rrezik kërcënues për mbarë botën nuk janë dhe aq përleshjet e armatosura se sa trafikimi i drogës. Sepse në këtë vend prodhohet më shumë se 90% e opiumit që depërton në tregun botëror.

Si të kthehet vendi në rrugën e zhvillimit paqësor? Kjo çështje është përfshirë në rendin e ditës jo vetëm të Kabulit, por edhe të Moskës. Organizatat joqeveritare (OJQ-të) kanë recetat e veta të rivendosjes së jetës paqësore në këtë vend. Juri Krupnov, Kryetari i Shoqatës së Miqësisë dhe Bashkëpunimit me Afganistanin, është i mendimit se Moska duhet të punojë në mënyrë shumë më aktive në këtë rajon:

- Nëse Rusia nuk do të mbështesë aktivisht politikën konstruktive në Afganistan, paqja dhe stabiliteti nuk do të vendosen kurrë në këtë vend. Ndërsa po nuk pati stabilitet, atje do të mbetet real prodhimi i drogës. Ne ofrojmë një variant të tillë të zhvillimit të Afganistanit: idetë, teknologjitë, kuadrot ruse dhe paratë e NATO-s dhe vendeve perëndimore. Kjo do të ndihmojë për të ndryshuar situatën në kahun pozitiv.

OJQ-të ruse janë të gatshme të japin ndihmën e vet në ripërtëritjen, rimëkëmbjen e Afganistanit. Veçanërisht ato që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me këtë vend. Dihet tashmë se me shpërthimin e luftës civile qindra e mijëra banorë paqësorë kanë marrë arratinë prej andej në vende të ndryshme të botës. Në Rusi komuniteti afgan numëron rreth 100.000 persona, shumica e të cilëve janë të arsimuar, biznesmenë me ndikim. Dhe ata tani janë të gatshëm për t’ia hyrë kësaj pune, thotë President i Qendrës së diasporave afgane, Ghulam Mohammad Xhalal:

- Ne jemi të gatshëm të realizojmë projekte të përbashkëta jo vetëm në sferën e biznesit, por edhe projekte me karakter humanitar. Për shembull, për të ndërtuar në Afganistan universitete, shkolla, spitale dhe rrugë. Sepse problemi më i madh në Afganistan është pikërisht papunësia. Ne jemi të gatshëm për të hapur biznese, ndërmarrje të vogla, në mënyrë që në to të mund të punësohen të rinjtë. Ky është një problem me të vërtetë shumë i madh.

0Gjatë viteve të fundit qarkullimi tregtar midis Rusisë dhe Afganistanit është rritur dhjetëfish (deri në 700 milionë dollarë). Dhe në këtë evidentohet roli i madh i komunitetit afgane, që jeton në Rusi, mendon Ghulam Mohammad Xhalal. Kurse vendimi i fundit i Moskës, për rindërtimin e Shtëpisë së Kulturës Sovjetike në Kabul, mund të bëhet fillimi i etapës së re të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona.