Kina i bën thirrje Koresë së Veriut të mos përkeqësojë situatën në rajon, deklaroi të martën përfaqësuesi zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Kinës Hong Lei, duke iu referuar planeve të Phenianit që kanë të bëjnë me lëshimin e raketës.

"Ne jemi të mendimit se Koreja e Veriut, si shtet sovran që është, ka të drejtë të eksplorojë për qëllime paqësore kozmosin, por duke patur parasysh situatën aktuale në rajon dhe kufizimet në fuqi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne shpresojmë se Koreja e Veriut do të veprojë me kujdes dhe do të bazohet në interesat e garantimit të paqes dhe stabilitetit në gadishull gjatë veprimeve të saj", - tha diplomati në një konferencë të rregullt për shtyp në Ministrinë e Jashtme kineze.