0Sot zemrat e palestinezëve janë të mbushura plot me gëzim e hare. Sipas perceptimit të tyre, që nga ky moment ata i ndan vetëm një hap nga shpallja e sovranitetit. Edhe pse në realitet pengesa kryesore në rrugën e arritjes së shtetësisë së plotë palestineze janë vetë palestinezët. Faktikisht, Autonomia Palestineze është Bregu Perëndimor i lumit Jordan. Atje në fuqi është Lëvizja “Fatah”. Kjo organizatë u themelua në vitin 1957 nga udhëheqësi i Organizatës për Çlirimin e Palestinës Jaser Arafat. Që prej asaj kohe Lëvizja ka përshkuar një rrugë të gjatë - nga metodat krejtësisht terroriste të zhvillimit të luftës deri tek njohja de facto e Izraelit dhe përcaktimi i kursit për zgjidhjen paqësore të konfliktit.

Me Lëvizjen “Fatah” konkurron ajo “Hamas” nga Rripi i Gazës. Kjo e fundit ka shtruar përpara vetes dy qëllime përfundimtare: krijimin e Kalifatit mysliman dhe çlirimin e Palestinës prej sionistëve. Këto dy lëvizje ndjekin qëllime krejtësisht të ndryshme. E para përbëhet kryesisht nga nacionalistët laikë. Kurse e dyta nga internacionalistët islamikë, për të cilët shteti kombëtar palestinez nuk paraqet ndonjë interes të veçantë. Këto janë dallime në nivel konceptual. Dhe prandaj kapërcimi i tyre është jashtëzakonisht i vështirë.

Edhe një moment tjetër i rëndësishëm - Palestina financiarisht është e varur nga Izraeli dhe SHBA-ja. Dhe nga të gjitha këto rezulton se palestinezëve ekonomikisht nuk u leverdis aspak të irritojnë Perëndimin. Megjithatë ata e kanë ndërmarrë këtë hap. Mendimin e tij mbi këtë çështje e shpreh Kryeredaktori i revistës "Rusia në politikën globale" (russ. «Россия в глобальной политике») Fjodor Lukianov:

0- Palestina, në mënyrë paradoksale, nga njëra anë, ndodhet në epiqendër të të gjitha ngjarjeve. Nga ana tjetër, ajo, me thënë të drejtën, nuk i duhet askujt në botën arabe. Dhe fati i popullit palestinez është gjëja e fundit që preokupon të gjitha shtetet e këtij rajoni. Ironia e trishtuar, mjaft pikëlluese konsiston në vetë faktin, se çështja e statusit të Palestinës preket në atë moment kur projekti i krijimit të shtetit palestinez mund të thuhet se ka vdekur. Intuita ime më thotë se çështja palestineze, edhe nëse ajo do të zgjidhet ndonjëherë, do të realizohet në mënyrë krejtësisht tjetër dhe në lidhje me një shtet tjetër, i cili quhet Jordani. Po cila është Jordania - do të pyesni ju? Ky është një shtet ku 70% të popullsisë së tij e përbëjnë palestinezët. Dhe këtu evidentohet një paradoks i hidhur. Nga njëra anë ne do të avancojmë drejt njohjes së asaj Palestine që u ideua në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë. Ndërsa nga ana tjetër, Palestina e vërtetë, me sa duket nga të gjitha, me konflikte të mëdha dhe pasoja të paparashikueshme do të formohet në një vend tjetër.