Sonda ndërplanetare “Messenger” zbuloi akumulime të konsiderueshme akulli në fund të kratereve të Merkurit - planetit më të afërt me Diellin, temperatura në sipërfaqen e të cilit mund të arrijë deri 427 gradë Celsius. Për këtë njoftuan të enjten shkencëtarët e dikasterit hapësinor amerikan të NASA-s.

0Akulli u zbulua në disa kratere të thellë në rajonin e Polit të Veriut të Merkurit, ku nuk bien ndonjëherë rrezet e diellit. Studiuesit presupozojnë se akulli dhe substancat organike të ndodhura në të kanë rënë në planet miliona vjet më parë si rezultat i përplasjeve të tij me asteroidët dhe kometat.