- Përse në krijimtarinë tuaj Ju përpiqeni t’i tregoni gjithmonë njerëzve të vërtetën, qoftë dhe jo fort të pëlqyeshme ngandonjëherë për ta?

- Fillimisht unë jam përpjekur të bëj filma të tillë, për të cilët të mos më vinte turp e të mos më skuqej faqja para prindërve, miqve dhe mësuesve të mi. Dhe nuk kam menduar kurrë se do të marr për këtë çmime Oskar, “Palmën e Artë” në Kanë. Unë thjesht i vura pikësynim vetes që të bëj filma të mirë për njerëzit. Jam mëse i bindur se, në qoftë se që në fillim të karrierës sime kinematografike do të kisha shtruar si qëllim përpara vetes të xhiroja një film të tillë, i cili do të nderohej aty për aty me të gjitha çmimet e mundshme, nuk do të kisha arritur asgjë në jetë. Unë kisha parimet e mia morale dhe i vura vetes si qëllim për t’u treguar njerëzve të vërtetën. Prandaj mua sot më njohin dhe më shikojnë në mbarë botën. Jeta njerëzore, qytetërimi nuk mund të zhvillohen pa ide të forta. Sigurisht shtëpia, makina, të hollat, jeta e begatë janë me të vërtetë gjëra të mira. Por të gjitha këto bëhen krejtësisht të rreme në rast se shndërrohen në qëllim të gjithë jetës për njeriun. Secili prej nesh duhet të ketë një pikësynim në jetë. Por nëse gjërat materiale kthehet në objektivin kryesor të jetës, në qëllimin kryesor të saj, atëherë nga kjo nuk do të dalë asgjë e mirë. Kështu njeriu nuk ka shans të arrijë ndonjë gjë në jetë. Ai duhet të ketë një ide kryesore, një qëllim thelbësor, i cili na drejton ne në jetë, duke na çuar në atë shpirtërore. Çdonjëri prej nesh duhet të përcaktojë detyrën, objektivin e vet, të zgjedhë rrugën e tij. Vetëm atëherë ne mund të fitojmë atë që dëshirojmë. Vetë ideja do të na çojë tek rezultatet. Një njeri i pasur mund të jetë shpirtmirë. Por në qoftë se ai e ndërton jetën e vet vetëm në funksion të qëllimin për t’u bërë i pasur, mendoj se jeta e tij është e pakuptimtë. Çdo gjë që ka një ide shpirtërore, e çon njeriu në mënyrë të padiskutueshme drejt arritjes së qëllimit të vet pozitiv. Por nëse çdo gjë përmbyset e kthehet me kokë poshtë, është e vështirë të arrihet diçka e mirë.

- Teknologjitë moderne, Interneti po e lidhin gjithnjë e më fort pas vetes njeriun. Çdonjëri prej nesh ndodhet nën kontrollin e “vëllait të madh” (angl."Big Brother"), edhe pse shpesh here ne nuk e perceptojmë plotësisht këtë gjë. Ne po shndërrohemi gradualisht në robotë, të cilët, në fund të fundit, do të humbasin përfundimisht anën e vet shpirtërore dhe madje individualitetin (personalitetin)?

- Aktualisht botën e kanë tejmbushur, uzurpuar paganët e teknologjive të larta (angl. high-tech). Dhe ky paganizëm nuk i sjell kurrfarë dobie njeriut. Njeriu gjendet nën kontrollin e vazhdueshëm teknologjik. Kontrollohet truri i tij, madje të gjitha pjesët e trupit. Çdo gjë që ndodh me secilin prej nesh, mund të aksesohet nga teknologjitë e reja. Por ne nuk mund të konfirmojmë se njeriu i sotëm është më i mirë se ai i periudhës së Rilindjes. Ne nuk mund të themi se njeriu i epokës së revolucioneve industriale është më i mirë ose më i keq se sa njerëzit aktualë të kohës së high-tech. Por njerëzit bashkëkohorë kanë mbetur pa një orientim, pa udhëzues shpirtëror. Ata janë bartës të synimeve jo fort të mira, ata duan të dominojnë mbi të tjerët dhe të robërojnë njerëzit. Çfarë i jep Perëndia njeriut? Ajo i jep atij unikalitetin, i cili nivelohet në botën e sotme. Njeriu nuk është i ndarë në dy pjesë, por në disa.

Njeriu High-Tech sot është më i prirur për jetë biologjike sesa shpirtërore. Atë e interesojnë vetëm vlerat materiale, ai është pagan i teknologjive. Dhe pikërisht ky pagan ballafaqohet aktualisht me njeriu hyjnor, për të cilin pat folur Dostojevski. Një studim mjaft interesant është kryer nga amerikanët. Ata zgjodhën shkrimtarin më të mirë të të gjitha kohërave dhe kombëve. Në vendin e parë u rendit Lev Tolstoi. Kurse Fjodor Dostojevski në listat e tyre as që figuron fare. Atyre nuk u vjen aspak për mide dhe madje i pengon vështrimi i thellë i Dostojevskit në labirintet e shpirtit njerëzor. Unë nuk dua të them asgjë të keqe për Lev Tolstoin, por në veprat e Dostojevskit ne zbulojmë shpirtin e njeriut, mundësitë e tij pafund. Ai edhe sot e kësaj dite flet me ne me gjuhën bashkëkohore, të nevojshme për secilin prej nesh. Ai bën thirrje për spiritualitet. Pagani modern i teknologjive të larta është shumë më i përshtatshëm për manipulim, ai është konsumator dhe nuk bën pyetje. Ai humbet individualitetin, personalitetin e vet, ai bëhet pjesë e turmës së kontrolluar. Ai nuk ka shpirt. Sot shumica si e serbëve, ashtu dhe rusëve po shndërrohen në paganë të teknologjive të larta. Po ndodh imitimi i modeleve jo më të mira të kulturës perëndimore. Ndër to ka edhe shumë gjëra interesante, por të rinjtë zgjedhin më të keqen - paganizmin e high-tech. Unë shpresoj shumë se në Perëndim do të ndodhin gjithashtu ndryshime të mëdha, sepse pa spiritualitet është e pamundur të jetohet.

- Ju vini shpesh në Rusi dhe keni shumë miq këtu. Çfarë gjërash të përbashkëta, sipas mendimit tuaj, kanë serbët dhe rusët? Dhe përse në shekullin e XX-të vendet tona përjetuan kaq shumë tragjedi njerëzore? Pse na ranë për pjesë vuajtje të tilla?

- Popujt e dy vendeve tona kanë përjetuar tragjedi të shumta. Rusia është vendi i vënë gjithmonë në shënjestër prej pushtuesve: që nga Napoleoni e deri te Hitleri. Shteti juaj me territoret e veta të pamata dhe burimet e pasura natyrore ka qenë përherë një thelë e majme, fort e lakmuar, për të gjithë ata që kanë ardhur me luftëra në trojet e tij. Vuajtjet e popujve të Rusisë janë një enigmë jashtëzakonisht e madhe historike. A duhej të vuante vallë kaq shumë populli rus? Ai me të vërtetë ka përjetuar më shumë vuajtje e privime se çdo komb tjetër i planetit. Serbia gjithashtu është përballur me tragjedi të shumta njerëzore. Ne kemi humbur dy të tretat e popullsisë së saj të aftë për punë. Në qoftë se nuk kishte qenë Lufta e Parë Botërore, sot në Serbi do të jetonin 40 milionë njerëz, dhe jo 9. Rrethanat historike na tërheqin vazhdimisht ne në këto tragjedi njerëzore, në këto luftëra.

Popujt e tjerë sllavë ditën të përshtaten për mrekulli me rrethanat historike. Të marrim për shembull çekët. Ata arritën të gjejnë kompromis me pushtuesit. Nazistët u treguan shumë më të mëshirshëm me ta, se sa me rusët e serbët. Kurse Jugosllavia në vitet e Luftës së Dytë Botërore u ndodh në kurth historik. Dhe kjo rrethanë u shfrytëzua nga Britania e Madhe. Serbët dilnin në rrugë dhe protestonin kundër Hitlerit, Churchilli u dha komandën të gjithë evropianëve për të luftuar kundër nazistëve, për të penguar Hitlerin të robërojë Evropën. Ne iu bindëm urdhërit të tij dhe më 27 mars të vitit 1941 njerëzit dolën në rrugë. E gjithë kjo u organizua nga shërbimet speciale britanike, në zbatim të instruksioneve të Churchillit. Pas kësaj Hitleri dha urdhër për bombardimin e Jugosllavisë. Ne na kanë bombarduar vazhdimisht: edhe aleatët e koalicionit antihitlerian në vitin 1944, edhe vendet e NATO-s në vitin 1999. Bota sot është ndërtuar në mënyrë të tillë, që gjithmonë është e interesuar për luftëra. Përkundër faktit se në letërsi luftërat dënohen, se kundër luftërave del shumica e njerëzve, luftërat moderne janë shndërruar në një biznes mjaft fitimprurës. Ky është një entitet i përjetshëm i programuar për të fituar sa më shumë para me brengat e hidhërimin njerëzor. Dhe më kryesorja është hipokrizia e botës bashkëkohore - pikërisht ata që organizojnë luftërat, financojnë njëkohësisht lëvizjet anti-luftë. Fati i njerëzimit është mpleksur, ndërthurur në një nyje kaq të shtrënguar, saqë është e pamundur të shkokolepset: nga lufta te fitimi, nga fitimi tek një lufte e re. Kështu krijohen kapitalet dhe pasuritë e mëdha. Luftërat moderne zhvillohen nën sloganin "Demokracia dhe humanizmi". Lufta, si rezultat i së cilës ne kemi humbur Kosovën, u quajtur "Engjëlli mëshirues". Dhe askush nuk ka shtruar pyetjen kryesore - pse? Në Vjetnam gjetën vdekjen 4.5 milion njerëz, në Irak sot numërohen një milion të vrarë, në Afganistan çdo ditë vdesin njerëz, dhe ne kurrë nuk do të marrim vesh shifrat e vërteta të humbjeve njerëzore. Kjo sugjeron se kapitalizmi është ndërmarrja kryesore ushtarake. Në qoftëse engjëlli do të kishte zbritur nga qielli e t’i thoshte George Bushit se luftëra më nuk do të ketë, të gjithë do të mbeteshin atëhere pa punë. Luftërat i japin shtysë, hov krijimit të teknologjive të reja, ato i detyrojnë njerëzit të avancojnë më tej. Unë jam kundër luftës, por kjo është pjesë integrale e historisë njerëzore dhe zhvillimit të saj tragjik.