Të gjitha 84 blloqet e adresave siriane IP rezultuan të padisponueshme. Kështu që asnjë lidhje e jashtme nuk mund të "trokasë" në adresat sirianë të Internetit dhe asnjë lidhje nga brenda Sirisë nuk është në gjendje të kontaktojë adresat elektronike përtej kufijve të vendit, shkruan revista All Things Digital.

Informacioni për shkëputjen e Internetit konfirmohet edhe nga kompania Akamai Technologies, si dhe nga aktivistët sirianë, të cilët janë lidhur me telefon satelitor.

Në 20 muajt e fundit për shkak të protestave të opozitës autoritetet siriane kanë bllokuar Internetin, por kurrë plotësisht.

Grupi i hakerave Anonymous ka publikuar udhëzimet për të lidhur Internetin nëpërmjet linjës telefonike, por paralajmëroi se një lidhje e tillë përgjohet lehtë.