0Në këtë përvjetor jubilar, Shqipëria dhe shqiptarët kanë se çfarë të kujtojnë, ata kanë se me çfarë të krenohen. Kujtojnë luftën dhe përpjekjet e patriotëve dhe rilindasve shqiptarë për paqe, liri dhe zhvillim, përulen me respekt përpara aktit të madh historik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga burrat e mençur dhe luftëtarë të kombit shqiptar, si Ismail Qemal Bej Vlora, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini e shumë të tjerë, të cilët u mblodhën në fund të muajit nëntor në Vlorën heroike, nga të gjitha viset e trojet shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia etj., dhe morrën vendimin e rëndësishëm historik, duke bashkuar dëshirën e të gjithë shqiptarëve, për ta shpallur Shqipërinë “të lirë e të mos varme”.

Galeria fotografike: Festimi i 100 vjetorit të Pavarësisë në Ambasadën e Shqipërisë në Moskë

Por, pavarësia e sapo lindur e Shqipërisë u desh të përballej, që në fillimet e saj, me padrejtësitë e kohës, me synimet e vendeve të ndryshme dhe atyre rajonale për ta mbytur atë që në djep. Troje të Shqipërisë u copëzuan, u lanë jashtë trungut të saj etnik autokton, aq sa kufiri shtetëror i Shqipërisë u rrethua nga shqiptarë dhe territore shqiptare. Por kjo nuk e dobësoi ndjenjën shqiptare për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar, nuk i shuajti traditat e tyre kulturore dhe shpirtërore, nuk zhduku gjuhën shqipe, traditat dhe zakonet e shqiptarëve. Ndjenja e lartë e atdhedashurisë i mbajti shqiptarët të lidhur fort pas trojeve entike të etërve të tyre. Kjo ndjenjë dhe përpjekjet e tyre për drejtësi kombëtare e shtetformuese e bënë historinë të ndryshojë. Historia filloi t’i shpaguajë shqiptarët në fund të shekullit të XX-të, filloi t’u njohë të drejtat e mohuara për shtet dhe barazi pothuajse gjysmës së kombit shqiptar, përreth kufijve shtetërorë të Shqipërisë. E drejta mund të vonojë, por ajo kurrë nuk mungon.

Shqiptarët janë një popull liridashës, janë një popull vital, që e duan paqen, që punojnë për stabilitet dhe zhvillim. Këto vlera të larta të karakterit të tyre, të shpirtit të tyre liridashës, janë dëshmuar në të gjitha periudhat historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar. Luftërat ballkanike apo ato me përmasa botërore janë dëshmia më e mirë e këtyre vlerave. Kontributi i vyer i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore, strehimi në Shqipëri dhe shpëtimi i mijëra hebrejve gjatë kësaj Lufte, përkujdesja vëllazërore për qindra mijëra kosovarë të shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre në vitet ‘98-’99 e shumë shembuj të tjerë, flasin qartë për frymën liridashëse, atë mbështetëse dhe bashkëpunuese të shqiptarëve. Ata sot janë pjesë e trupave paqeruajtëse në botë, pikërisht në mbrojtje të paqes, lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Fundi i shekullit të kaluar dhe ky fillimshekull i ka gjetur shqiptarët si pjesë të organizmave dhe institucioneve ndërkombëtare, pjesë të vlerave të larta demokratike dhe standarteve të zhvilluara. Shqipëria është tashmë një vend anëtar i NATO-s, synon anëtarësimin në BE, është pjesë e të gjitha nismave rajonale, ku jep një kontribut të çmuar e ndikon pozitivisht në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe nxit zhvillimin e gjithanshëm të tij. Shqiptarët kudo që janë, brenda apo jashte shtetit amë, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi si dhe në vende të tjera në botë nxisin bashkëjetesën paqësore, kontribuojnë për zhvillimin, bëhen përçues të vlerave me të qenësishme të njerëzimit dhe civilizimit botëror.

0100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i krijmit të shtetit shqiptar, erdhi me një sërë aktivitetesh edhe në Rusi. Pjesë nga trashëgimia historike dhe kulturore shqiptare u përcollën tek publiku i gjerë rus gjatë Ditëve të Kulturës Shqiptare në Rusi, muzika dhe kënga e bukur shqiptare u përcoll me virtuozitet nga artistët shqiptarë që performuan në sallat koncertore të Moskës apo Shën Petersburgut, gjurmë historike dhe vlera artistike të periudhës së tranzicionit shqiptar iu transmentuan publikut artdashës rus edhe nëpërmjet filmit shqiptar. Të gjitha këto, së bashku me një sërë aktivitetesh të tjera të karakterit diplomatik, ekonomik, arsimor, shkencor turistik etj., si në Rusi ashtu dhe në Shqipëri, i sjellin më afër dy popujt tanë, dy vendet tona. Ecuria e marrëdhënieve tona dypalëshe duhet të jetë e orientuar nga e ardhmja, e bazuar në vlerat më të mira të së shkuarës, në shërbim të paqes, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, në të mirë të vendeve dhe popujve tanë.