Sot shumica e shkollave në Sllovaki u mbyllën për shkak të grevës së mësuesve, të cilët kërkojnë rritjen e pagave.

Greva ka përfshirë 80% të shkollave fillore dhe 70% të shkollave të mesme. Grevës i janë bashkuar punonjësit e disa kopshteve për fëmijë dhe universiteteve. Afatet e përfundimit të grevës nuk janë përcaktuar ende. Me shumë gjasa, mësuesit e çdo shkolle do të vendosin veçmas se kur të kthehen në punë.

Për të zgjidhur konfliktin Ministria e Financave ishte e gatshme të rriste pagat gradualisht me 5%, por sindikatat kanë refuzuar, duke kërkuar një rritje prej 10% në vitin që vijon.

Mësuesit në Sllovaki marrin rreth 435 € në muaj. Ndërsa paga mesatare në vend është 770 €.