Agjencia Federale Kozmike e Rusisë "Roskozmos" dhe NASA, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, kanë përzgjedhur astronautët e kozmonautët për një mision njëvjeçar në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar (SKN). Të përzgjedhurit janë rusi Mihaill Kornienko dhe amerikani Scott Kelly. Fillimi i fluturimit është planifikuar për në pranverën e vitit 2015.

Qëllimi i misionit është studimi i reagimeve të trupit të njeriut në kushtet e hapësirës kozmike dhe aftësitë e tij për t’iu përshtatur atyre. Qëndrimi njëvjeçar do të zgjerojë kufijtë e jetesës dhe veprimtarisë së njeriut në hapësirën kozmike, do të rrisë njohuritë rreth ndikimit të mikrogravitetit dhe do të ndihmojë në përgatitjen e misioneve të ardhshme përtej kufijve të orbitës së afërt me Tokën.