0Beteja e Stalingradit është njohur nga historianët dhe ekspertët ushtarakë si pikë, moment me rëndësi kthese rrënjësore në zhvillimin e Luftës së Dytë Botërore. Ushtria e Hitlerit nuk mundi ta marrë më dot veten pas disfatës dërrmuese që pësoi në brigjet e Vollgës, kurse njerëzit sovjetikë arritën të binden pas saj se mund ta mposhtin armikun. Mbi atë se çfarë iu desh të kapërcejë e të përballojë popullit sovjetik në emër të kësaj fitoreje dhe tregon ekspozita në fjalë.

Dokumente, fotografi, sende personale - vizitorët mund të shohin më shumë se 600 eksponate, të cilat tregojnë mbi fatet, historitë e strategëve ushtarakë, gjeneralëve të famshëm, ushtarëve dhe banorëve të zakonshëm paqësorë, që në një mënyrë ose në një tjetër janë të lidhura me fitoren e madhe dhe të vështirë të arritur nën muret e Stalingradit, tregon zyrtarja për shtyp e Muzeut-rezervat "Beteja e Stalingradit”Tatiana Prikazçikova ":

- Vizitorët mund të mësojnë, për shembull, mbi heroizmin e katër ushtarëve radistë të Divizionit të 138 të Këmbësorisë. Ky Divizion, nën komandën e kolonelit Ivan Ljudnikov, nga gjysma e dytë e vjeshtës së vitit 1942 e deri në dimrin e 1943-shit ka mbrojtur një pjesë të vogël toke me përmasa 700 X 400 metra. Radistët e këtij Divizioni për më shumë se një muaj e kanë mbajtur heroikisht pikën e vet të ndërlidhjes dhe nuk e lanë armikun t’i afrohet Vollgës.

Vizitorët e ekspozitës mund të shohin edhe eksponatin unikal - fragmente të dorëshkrimeve të Feldmarschall-it gjerman Friedrich Paulus në rusisht. Paulus ishte njëri nga përpunuesit e planit të intervencionit të Gjermanisë në Bashkimin Sovjetik - “Operacionit Barbarossa". Kurse në vitin 1942, duke qenë Komandant i Armatës së 6-të gjermane, ai u ndodh në Stalingradin e rrethuar. Duke kuptuar gjithë situatën e pashpresë dhe të dëshpëruar, në të cilën u ndodh, në fund të janarit të vitit 1943 ai së bashku me armatën e vet iu dorëzua trupave sovjetike. Në periudhën kur ishte rob lufte ai shkroi kujtimet e tij. Një pjesë të shënimeve të veta (dorëshkrime) ai ia dorëzoi Gjeneralit sovjetik Mihaill Krivenko, i cili ishte ngarkuar me garantimin e mbrojtjes së Feldmarschall-it gjerman Friedrich Paulus. Ja se çfarë kujton vajza e Gjeneralit Krivenko - Tatiana:

- Që nga viti 1945 e deri në vitin 1947 babai ka qenë Shef i Departamentit Kryesor për çështjet e robërve të luftës dhe të internuarve. Detyra e tij kryesore ishte garantimi i sigurisë së Feldmarschall-it Paulus, pasi atë tentuan disa herë ta rrëmbejnë dhe ta likuidojnë fizikisht. Prandaj babai ishte i përfshirë drejtpërsëdrejti në mbrojtjen e tij. Siç tashmë dihet nga të gjithë, Friedrich Paulus ka qenë dëshmitar në proceset e Gjyqit të Nurembergut nga ana e palës gjermane.

Plot 200 ditë dhe netë zgjati beteja e Stalingradit - më e madhja dhe më e përgjakshmja në historinë e luftërave botërore. Gjatë mbrojtjes së qytetit u vranë dhe u plagosën gati një milion ushtarë dhe oficerë sovjetikë. Armatat e bllokut nazist humbën nën Stalingrad 1/4 e forcave të veta. Se me çfarë çmimi të shtrenjtë u pagua Fitorja kundër Rajhut të Tretë, kujton ekspozita "Një për të gjithë".

Në llogoret e Stalingradit