0Kjo ekspozite, mbasi qëndroi e hapur për rreth 1 muaj në Muzeun Artit të Kulturës Mesjetare ruse “Andrej Rublov” në Moske, u transferua për të qëndruar edhe një muaj tjetër e hapur në qytetin e tretë më të madh të Rusisë, Nizhni Novgorod.

Ekspozita e ikonave shqiptare të periudhës mesjetare u prit me mjaft interes nga drejtues të institucioneve vendore të qytetit të Nizhni Novgorodit, nga personalitete të artit, kulturës, shkencës, nga studiues të trashëgimisë kulturore, nga të rinj e të reja të këtij qyteti, përfaqësues të medias etj. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës me ikonat shqiptare ishin edhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse, z. Sokol Gjoka, Kryetari i Bashkisë së qytetit të Nizhni Novgorodit, Oleg Valentinoviç Sarokin etj. Hapja e një ekspozite të tillë me vlera të trashëgimisë kulturore shqiptare ishte ngjarja e parë e këtij lloji që ndodhte në qytetin rus me histori të moçme, në qytetin buzë Vollgës të Nizhni Novgorodit. Kryetari i Bashkisë së tij, z. Sarokin, e vleresoi mjaft organizimin e një veprimtarie të tillë në këtë qytet, veprimtari e cila, sipas tij, përçon vlera shpirtërore, historike dhe kulturore. “Ne kemi dëshirë, u shpreh ai, që të kemi sa më shumë veprimtari të tilla nga Shqipëria në qytetin tonë, për ta njohur me mirë këtë vend dhe për të vendosur marrëdhënie bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të përbashkët”.

Në fjalën e tij përshëndetëse përpara të pranishmeve, Ambasadori Gjoka e vlerësoi hapjen e ekspozitës së ikonave shqiptare në qytetin e Nizhni Novgorodit si një ngjarje që prezanton një pjesë të vlerave të mëdha shpirtërore të popullit shqiptar, të trashëgimisë së tij historiko-kulturore dhe vlerave mjeshtërore artistike. Ikonat shqiptare të ekspozuara në Muzeun Shtetëror të Artit, i cili ndodhej brenda Kremlinit të Nizhni Novgorodit, janë frymëzime të ikonografëve shqiptarë të besimit të krishterë, të cilat i përkasin periudhës së mesjetës e që janë pjesë e një koleksioni të madh të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës. Aktivitete të tilla, vijoi Ambasadori Gjoka, sjellin më afër kulturat dhe traditat kulturore midis dy vendeve tona. Ato shërbejnë si ura lidhje midis popujve tanë për të njohur më mirë njëri-tjetrin. Ambasadori Gjoka shprehu besimin se aktivitete të tilla midis vendeve tona, midis qyteteve tona, do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ai iu referua, me këtë rast, edhe takimit të zhvilluar pak orë më parë në të njëjtën ditë me Kryetarin e Bashkisë së Nizhni Novgorodit, z. Sarokin, gjatë të cilit u fol edhe për një bashkëpunim në të ardhmen midis këtij qyteti dhe qyteteve shqiptare.

Të pranishmit në ceremoninë e hapjes së ekspozitës me ikonat shqiptare në qytetin e Nizhni Novgorodit i përshëndetën edhe drejtues të Muzeut të Artit Mesjetar “Andrej Rublov” të Moskës, të cilët vlerësuan hapjen e kësaj ekspozite në muzeun e tyre si dhe interesin e treguar nga vizitorë të ndryshëm të saj.

0Në vijim, të pranishmit vizituan ekspozitën e ikonave shqiptare dhe vlerësuan lartë punimet me vlerë historike, kulturore dhe fetare shqiptare të ekspozuara në një ambient të veçantë të Muzeut Shtetëror të Artit në Nizhni Novgorod. Ekspozita e ikonave shqiptare do të qëndrojë e hapur në muzeun e këtij qyteti deri më 12 dhjetor 2012.