Korporata britanike “British Petrolium” (BP), "Rosneft" dhe aksioneri i saj kryesor "Rosneftegaz" nënshkruan një paketë dokumentesh përfundimtare dhe detyruese që parashikojnë shitjen e 50% të aksioneve të TNK-BP dhe investimet e BP-së në "Rosneft", thuhet në njoftimin e kompanisë britanike.

Sipas dokumenteve, BP do t’i shesë "Rosneft-it" pjesën e saj në TNK-BP për 17,1 miliardë dollarë dhe 12,84% të aksioneve të kompanisë shtetërore. Nga të ardhurat monetare të përfituara në kuadër të kësaj marrëveshjeje BP do të japë 4,8 miliardë dollarë për të blerë 5,66% të aksioneve shtesë të "Rosneft-it" nga Qeveria e Federatës Ruse në bazë të çmimit 8 $ për aksion.