Forcat Ushtarake Ajrore të Kinës ia arritën të ulnin për herë të parë avionin e tyre gjuajtës në kuvertën e një aeroplanmbajtëseje, njoftoi të enjten gazeta lokale "South China Morning Post".

Gazeta pohon se ulja e suksesshme e avionit gjuajtës "Jian-15" në kuvertën e aeroplanmbajtëses "Liaoning" ka ndodhur që të martën e kaluar në Gjirin e Bohai, ku po zhvillohet faza e radhës e testeve detare të anijes. Ekuipazhi i aeroplanmbajtëses ka filluar të punojë për herë të parë mbi zhvillimin e bashkëpunimit me aviacionin e kuvertës vetëm në tetor.

Sipas të dhënave të gazetës, deri të martën pilotët kinezë vetëm sa kishin prekur kuvertën e anijes dhe pastaj ishin ngritur në ajër për të fluturuar drejt bazës së tyre tokësore.