0Marrëveshja për armëpushimin u bashkërendit të mërkurën mbrëma mes palëve konfliktuese me ndërmjetësinë e Egjiptit dhe SHBA-së. Ndërkohë, duhet thënë, se parimi i koordinuar me ndihmën e Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara "qetësi në këmbim të qetësisë" tashmë është thyer. Shumë shpejt pas fillimit të veprimit të regjimit të armëpushimit tri raketa nga Rripi i Gazës fluturuan në drejtim të territorit të Izraelit. Dy nga ato u diktuan dhe u goditën prej mjeteve izraelite të mbrojtjes antiraketore. Këto të dhëna janë bërë publike nga shërbimi i shtypit i ushtrisë së Izraelit. Sipas disa burimeve të tjera, mbi Izraelin janë lëshuar 12 raketa. Por zjarr kundërpërgjigje ai nuk ka hapur.

Për një javë të operacionit të masivizuar ushtarak izraelit në Gaza u vranë 160 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 1.200 të tjerë. Kurse në Izrael, si rezultat i sulmeve me raketa nga ana e militantëve palestinezë, humbën jetën 5 persona dhe dhjetra të tjerë u plagosën. Të mërkurën mbrëma Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi vrasjet në radhët e popullsisë së pafajshme civile. Ai shprehu shpresën se armëpushimi të çojë më në fund në ndalimin e qëndrueshëm të manifestimeve të dhunës në Rripin e Gazës dhe në Izrael.

Kush ishte i interesuar në shpërthimin e kësaj lufte? Cili e fitoi atë? Ja mendimi i ekspertit të Institutit rus të Studimeve Strategjike dhe Analizës Sergei Demidenko:

- Kjo ishte luftë parazgjedhore e Izraelit, Partisë "Likud" dhe Netanjahut. Pikë për pikë, deri në detajet më të hollësishme, u përsërit operacioni "Cast Lead" (“Plumb i Derdhur”) i fundit të vitit 2008 - fillimit të atij 2009. Atëherë iniciatore e tij u bë Partia "Kadima". Tani "Likud" theksoi vendosmërinë e vet në mbrojtjen e pozitave të Izraelit dhe mbrojtjen e popullatës së vendit. Ndoshta fituese e kësaj lufte mund të konsiderohet "Likud-i" i konservatorëve izraelite. Fituese, natyrisht, jo në kuptimin ushtarak, por ekskluzivisht atë moral. Në aspektin e marrëdhënieve me publikun (Public relations, PR), të promovimit të ideologjisë së tyre dhe forcimit të pozitave elektorale.

Në të njëjtën kohë 22 nëntori në Gaza është shpallur si ditë e Festës kombëtare të Fitores. Autoritetet e enklavës u bënë thirrje të gjithë palestinezëve për ta festuar gjerësisht këtë ngjarje dhe për të vizituar familjet e viktimave të agresionit izraelit. A është e drejtë vallë të flitet në këtë rast për fitoren e palestinezëve? Eksperti rus i Institutit të Studimeve Orientale të Akademisë së Shkencave të Rusisë Boris Dollgov është i mendimit se:

0- Për herë të parë, për gjithë kohën e konfrontimit mes palëve kundështare, grupet e armatosura palestineze të rezistencës me raketat e tyre arritën territorin e Tel Avivit dhe Jeruzalemit. Mbi territorin e Izraelit u lëshuan më shumë se 1.500 raketa. Këtu mund të evidentohet fakti se grupet e armatosura palestineze e kanë rritur në mënyrë të qenësishme potencialin e tyre ushtarak. Por, sigurisht, që nuk mund të bëhet fjalë në këtë rast për fitoren e palestinezëve. Konfrontimi përfundoi, si i thonë fjalës, “me barazim”, në favor të asnjërës prej palëve. Dhe konfliktet e reja do të mund t’i parandalojë vetëm zgjidhja përfundimtare e problemit palestinez. Nëse nuk do të bëhet kjo, atëhere në të ardhmen mund të pritet vetëm përshkallëzimi i konfrotimit palestinezo-izraelit.