0Javën e kaluar përfaqësuesit e Muzeut Shtetëror të Arteve Figurative të Irbit kanë bërë një deklaratë me të vërtetë sensacionale. Sipas fjalëve të tyre, në koleksionin e muzeut ruhet tablloja "Mëkatuesja e penduar Maria Magdalena me motrën e saj Marta" - piktura origjinale e penelit të njërit prej artistëve më të famshëm flamand në historinë e artit botëror - Peter Paul Rubens.

Irbit është një qytet i vogël në rajonin Sverdllovsk, 200 kilometra nga Ekaterinburgu. Tablloja në fjalë është transferuar në Muzeun e Irbit nga Muzeu Shtetëror Ermitazh i Shën Petersburgut në vitin 1976. Drejtori i Muzeut të Irbit Valeri Karpov vendosi të provojë se vepra, e cila është konsideruar për një kohë të gjatë si kopje e tabllosë origjinale të Rubens, që ruhet aktualisht në Muzeumin Kunsthistorisches të Vjenës, në të vërtetë është vepër e penelit të vetë piktorit të famshëm flamand.

U krye ekspertiza kimike dhe teknologjike e pikturës dhe në bazë të rezultateve të saj u bë deklarata e bujshme e sipërpërmendur. Në të njëjtën kohë, eksperti restaurator i Muzeu Shtetëror Ermitazh Viktor Korobov, pasi e pa me shumë vemendje tabllonë, shprehu një version më të matur, më të kujdesshëm. Sipas mendimit të tij, tablloja është pikturuar në studion e mjeshtrit Rubens me përfshirjen personale të artistit të madh.

"Lajmi në lidhje me zbulimin, ndërsa më saktë, riatribuimin e tabllosë së Rubens "Mëkatuesja e penduar Maria Magdalena me motrën e saj Marta”, natyrisht, na bën të mendohemi mirë për shumë gjëra, - tha në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" ekspertja dhe kritikja e artit Viktoria Llaptjeva. - Në veçanti, në lidhje me nivelin e ekspertizës së muzeut. Në fakt, restauratorët e Muzeu Shtetëror Ermitazh dhe thonë se kjo, ka shumë gjasa, të jetë vepër e "shkollës së Rubens-it".

Me sa duket, duke dashur ta bëjë sa më të bujshme deklaratën e vet, Drejtori i Muzeut Shtetëror të Arteve Figurative të Irbit shprehu supozimin se në Muzeun e Vjenës nuk ruhet tablloja origjinale, por "një kopje më e vonë e saj". Dhe tani ekspertët austriakë do të jenë të detyruar të provojnë se tablloja e tyre është me të vërtetë origjinali i veprës së Rubens.

0"Unë mendoj se në Muzeun e Vjenës i kanë verifikuar me kohë të gjitha tabllotë, duke kryer për këtë qëllim ekspertizat e nevojshme fort të kushtueshme, - beson Viktoria Llaptjeva. - Në çdo rast, kolegët e Muzeut Shtetëror të Arteve Figurative të Irbit duhet të jenë më të kujdesshëm me deklarata të tilla, sepse pikërisht në këtë mënyrë dhe shfaqen sensacionet e sëmura".