0Rusia nuk e ka pritur asnjëhere deri më sot Expo-n. Në rast të fitores Ekaterinburgu do të ketë tetë vjet kohë për t'u përgatitur për të. Për zhvillimin e ekspozitës ndërkombëtare qyteti do të vërë në dispozicion një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Përkatësisht përmasave dhe fushëveprimit Ekaterinburgu do të mbetet vetëm pas Shanghai-t, tregoi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Kryetari i Bordit mbikëqyrës të Komitetit të ofertës Expo 2020, ish-Kryetari i bashkisë së Ekaterinburgut Arkadi Çerneckij:

- Aktualisht Ekaterinburgu është qyteti me rritje më dinamike midis të gjitha qyteteve të mëdha ruse. Në të është koncentruar potenciali intelektual dhe kulturor. Ky mund të quhet me plot gojën qytet i rinisë, i studentëve, ku vazhdojnë studimet e larta më shumë se 200 mijë studentë. Ai është i aftë të sigurojë nivelin e duhur të mikpritjes dhe nivelin përkatës të aktiviteteve që do të zhvillohen në qytet, në qoftë se ai do të mund të fitojë të drejtën për të organizuar ekspozitën në fjalë.

Edhe një moment tjetër pozitiv që i rrit pikët ofertës ruse është zhvillimi në Ekaterinburg i disa ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018. Domethënë që disa vite para ekspozitës Expo në qytet do të ndërtohen plot hotele të reja. Godina suplementare për akomodimin e turistëve do të ngrihen edhe në lagjet rezidenciale. Kurse pas vitit 2020 ato do t’u jepen për banim banorëve të kryeqytetit të Uralit.

Organizimi i ekspozitës më të madhe ndërkombëtare në Ekaterinburg do të bëhet etapa e radhës e zhvillimit të rajoneve ruse. Përfaqësuesit e delegacionit, i cili do të paraqesë kërkesën më 22 nëntor në Paris, venë në dukje se ndërkohë mbetet një problem - njohja e dobët, madje tejet modeste, e qyteteve ruse në botë. Evenimentet e një shkalle të tillë sigurisht ndihmojnë për zgjidhjen e tij, por shtrojnë njëkohësisht edhe detyra mjaft serioze, thotë Kreu i Departamentit Analitik të RBK Aleksandër Jakovljev:

- Rusinë e pret një bum i madh ngjarjesh të tilla - ne jemi në pritje të Universiadës së XXVII Verore Botërore të vitit 2013 në Kazan, Lojrave Olimpike Dimërore të vitit 2014 në Soçi dhe Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018. Tek ne tani për tani të gjitha flukset e investimeve, ato financiare dhe njerëzore janë koncentruar në Moskë dhe Shën Petersburg. Ndërsa për zhvillimin e vendit kjo është një gjë shumë e keqe. Paraqitet e domosdoshme zhvendosja e qendrave të rritjes ekonomike në rajonet e vendit. Dhe projektet globale si këto që përmendëm do t’i shërbejnë për mrekulli këtij qëllimi.

0Se ku do të zhvillohet Expo 2020 pas tetë vjetësh, këtë do ta vendosë votimi përfundimtar në nëntor të 2013. Konkurrentë të Ekaterinburgut janë Dubai (EBA), Izmir (Turqi), Ayutthaya (Tajlandë) dhe San Paolo (Brazil).