Astronomët rusë, të cilët punojnë me rrjetin e teleskopëve automatikë MASTER, i cili është instaluar në poligonin astro-fizik të Universitetit të Irkutskut, në luginën e Tunkës në Burjatia, zbuluan një planet të ri të vogël në brezin kryesor të asteroidëve, i cili shtrihet mes orbitave të Marsit dhe Jupiterit. Madhësia e planetit varion nga 1.5-2 kilometra.

Asteroidi 2012 VG82 dallohet për orbitën e vet mjaft të zgjatur: perihelioni i saj (pika më e afërt e orbitës me Diellin) gjendet 255 milionë kilometra larg nga Dielli, ndërsa afelioni i saj (pika më e largët e orbitës) - 384 milionë kilometra larg Diellit. Orbita e asteroidit në fjalë nuk kryqëzohet kurrë me orbitën e Tokës, kështu që përplasja e tij me planetin tonë përjashtohet plotësisht.