0Nizhni Novgorod u themelua në shekullin e XIII-të si një fortesë kufitare. Por shumë shpejt kufijtë e Rusisë filluan të zgjerohen në mënyrë të ndjeshme, ndërsa qyteti i ngritur në vendin e bashkimit të lumenjve Oka dhe Vollga u shndërrua në një qendër të madhe tregtare. Pikërisht këta dy lumenj shërbenin si rrugët kryesore të zhvillimit të tregtisë. Në fillim të shekullit të XIX-të atje u krijua një qendër jashtëzakonisht e madhe panairi ndërkombëtar me kompleks bujtinash (shtëpi-hotele), kisha e një xhami, si dhe me një teatër e cirk, vë në dukje guida Olga Zotova:

- Nizhni Novgorod është një nga qytetet më të famshme ruse jashtë shtetit. Shumica e atyre që vijnë tek ne për vizitë e kuptojnë për mrekulli se njohja me Rusinë nuk mund të kufizohet vetëm me Moskën dhe Shën Petersburgun. Tek ne vijnë pikërisht për të kuptuarit, të ndjerit e shpirtit rus. Ky është një qytet tradicional rus, ku çdokush që dëshiron mund të shohë kulturën ruse në të gjitha format e manifestimet e saj. Nizhni Novgorod është një nga qytetet më të vjetra ruse. Ai u themelua në vitin 1221 nga Knjazi (Princi) i Madh rus Georgij Vsevollodoviç (russ. Великий Князь Георгий Всеволодович). Për një kohë të gjatë ky qytet ka qenë një strukturë ushtarake, një post pararojë i shtetit. Nizhni Novgorod është ndërtuar në tokat e banuara nga popullsia e fiseve të familjes Finno-Ugric. Këtu dikur patën jetuar paraardhësit e finlandezëve, estonezëve dhe hungarezeve bashkëkohorë.

Në vitet e drejtimit të pushtetit sovjetik nga qytet tregtar ai bë shndërrua në qendër të industrisë së mbrojtjes. Pikërisht kjo dhe është arsyeja pse deri në vitin 1990 ai ka qenë i mbyllur për vizitorët e huaj. Në ditët tona Nizhni Novgorod është bërë një nga qendrat e teknologjive informative ruse. Në këtë qytet janë hapur përfaqësitë e disa kompanive të mëdha informative, të tilla si Intel. Teknologjitë moderne do të aplikohen edhe gjatë përgatitjes së Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2018, tregon Zëvendësguvernatori i rajonit të Nizhni Novgorodit Dimitri Svatkovskij:

- Stadiumi do të jetë i vendosur në zonën historike të qytetit, në vendin e bashkimit i dy lumenjve Vollga dhe Oka. Kapaciteti i stadiumit është projektuar për 45.000 spektatorë.

0Por, duhet thënë, se stadiumi dhe rrugët e reja nuk do të ndryshojnë pamjen historike të qytetit. Në qendër të tij ndodhet objekti kryesor më interesant arkitektonik - Kremlini i Nizhni Novgorodit i fillimit të shekullit XVI-të, i cili është i rrethuar me një mur kalaje dy kilometërsh të gjatë prej tulle dhe me 13 kulla vrojtimi. Nga platforma e lartë e vëzhgimit e Kremlinit hapet një panoramë me të vërtetë mahnitëse. Janë ruajtur në këtë qytet edhe kisha që datojnë nga shekulli XIII-të, edhe disa rrugë me shtëpi të moçme prej druri të periudhës së shekujve XVIII-XIX-të.