Koalicioni i opozitës siriane, i formuar në fillim të nëntorit, u njoh nga Britania e Madhe si përfaqësuesi i vetëm legjitim i popullit të Sirisë, njoftoi të martën Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar William Hague, duke folur në Dhomën e Komunave të Parlamentit britanik.

Koalicionin gjithashtu e kanë njohur si të vetmin përfaqësues legjitim të popullit sirian edhe vendet arabe të Gjirit Persik, një sërë anëtarësh të Ligës së Shteteve Arabe si dhe Turqia.