0Shkencëtarët e mjekësisë planifikojnë të zhvillojnë një sistem të ri testesh para dhe postoperative. Ata do të studiojnë karakteristikat gjenetike dhe molekulare të tumoreve malinje. Këto të dhëna do të përdoren për zgjedhjen e një programi individual trajtimi. Për realizimin e studimit u krijua qendra e veçantë tekniko-shkencore "Bioklinikum", buxheti i të cilës është rreth 10 milionë dollarë. Tani po zhvillohet puna për identifikimin e efekteve të mbetura pas operacionit të të ashtuquajturëve shënues (markera), tregoi Drejtori i Përgjithshëm i qendrës "Bioklinikum" Dimitri Sakharov:

- Këto markera janë gjenetikë. Ne studiojmë ndryshimet në portretin gjenetik të tumorit. Ne nuk diagnostikojmë kancerin e gjirit, por bëjmë prognozën postoperative: sa i mundshëm është recidivi (përsëritja) pas heqjes së tumorit. Duke u bazuar në këto të dhëna, mjeku zgjedh strategjinë e trajtimit të mëtejshëm të pacientit.

Kjo praktikë do të ndihmojë në zgjedhjen e medikamentit, në mënyrë që ai të jetë sa më efektiv. Nga ana tjetër, gratë duhet të tregojnë kujdes e vëmendje ndaj shëndetit të tyre para se të drejtohen në qendrat onkologjike, theksojnë mjekët. Duhet të kontrollohen rregullisht te mjekët terapistë dhe kirurgët në poliklinikat e lagjeve dhe ato qendrore që të mund të zbulojnë shenjat e para të sëmundjes, për këtë është i bindur Drejtori i Institutit Onkologjik kërkimoro-shkencor të Moskës me emrin e Herzen (Peter Aleksandroviç Herzen - kirurg sovjetik) onkologu Valeri Çissov:

- Drejtimi parandalues, i cili ishte kryesor në kohën e Bashkimit Sovjetik, po rikthehet. Sepse gjëja më e rëndësishme është identifikimi i sëmundjes në kohë. Atëherë trajtimi do të jetë më i lirë. Kimioterapia është një trajtim shumë i shtrenjtë. Në fazën e parë - fazën e hershme të tumorit malinj - kimioterapia zakonisht nuk është e nevojshme.

Në Rusi diagnostikohen 50 mijë raste me kancer gjiri te femrat. Pothuajse gjysma e këtyre rasteve të sëmundjes janë tashmë në fazat e avancuara të zhvillimit, gjë që e komplikon në mënyrë të konsiderueshme trajtimin. Në SHBA dhe vendet perëndimore evropiane të tilla paciente ka shumë herë më tepër se këtu. Shkencëtarët besojnë se studimi i këtij kanceri në të ardhmen do të ndihmojë njerëzit për trajtimin e sëmundjeve të tjera kanceroze.