Në varrezën përkujtimore ushtarake Mamajev Kurgan (Kodrina Mamajev - russ. Мамаев курган) në Vollgograd (Povollzhe) ka filluar vendosja e tabelave me emrat e të rënëve heroikisht për mbrojtjen e Stalingradit. "Të kthejmë emrat e ushtarëve" - kështu quhet ky aksion patriotik dedikuar 70 vjetorit të kundërofensivës së trupave sovjetike në Stalingrad.

Galeria fotografike: 70 vjet më parë filloi beteja nën Stalingrad

"Rreth 17.000 emra të dëshmorëve u lexuan sot. Në çdo tabelë ka 12 emra. Tabelat do të instalohen në të ashtuquajturin Muri i Vajtimit", - raporton korrespondenti i "Zërit të Rusisë".

Sot në Kodrinën Mamajev erdhën veteranë dhe "Fëmijët e Stalingradit", të cilët gjatë betejave të përgjakshme ishin nga 6-10 vjeç. Shumë theksuan se në pllakat përkujtimore ishin emrat e etërve dhe të afërmve të tyre.

Është planifikuar që puna për instalimin e pllakave të përfundojë më 2 shkurt 2013, ditën e fitores së trupave sovjetike në Betejën e Stalingradit. Kjo është një nga betejat më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore që shënoi fillimin e momentit të kthesës rrënjësore në luftën kundër Gjermanisë hitleriane.