0Sulmet ajrore të aviacionit izraelit po vazhdojnë për të gjashtën ditë me radhë. Kjo është një kundërpërgjigje e rreptë ndaj lëshimit të raketave prej militantëve të “Hamas-it” mbi territorin e Izraelit. Që nga fillimi i operacionit izraelit numri i palestinezëve të vrarë i ka tejkaluar 80 personat. Në Izrael gjithashtu ka viktima.

Militantët e “Hamas-it” së bashku me ata të grupeve të tjera kërkojnë heqjen e plotë të bllokadës nga Rripi i Gazës, ndalimin e intervencionit të ushtrisë izraelite e krijimin e zonës së sigurisë brenda enklavës si dhe dhënies fund të praktikës së likuidimit fizik kokë për kokë të liderëve të tyre. Nga ana e tij Izraeli këmbëngul për arritjen e një armëpushimi afatgjatë mbi 15 vjet e më shumë, ndalimin imediat të furnizimit të armëve në Gaza dhe sulmeve ndaj rojeve kufitare izraelite.

Midis ekspertëve rusë nuk ka një mendim unanim në lidhje me atë, se sa reale janë, në të vërtetë, shpresat për arritjen e marrëveshjes në lidhje me armëpushimin. Ja mendimi i ekspertit rus Azhdar Kurtov:

- Sigurisht, vendosja e armëpushimit është e mundur. Ai është gjithmonë një parakusht për palët që të ulen rreth tryezës serioze e vlerëplotë të negociatave. Mendoj se nuk ka ndonjë problem të tillë në marrëdhëniet palestinezo-izraelite, i cili të mos mund të zgjidhet dot me mjete politike. Kështu që unë nuk e përjashtoj aspak mundësinë e arritjes së armëpushimit.

Eksperti rus Sergei Demidenko në këtë mënyrë iu përgjigj pyetjes, nëse do të arrijnë dot palët të ndalojnë konfliktin ushtarak apo jo:

- Jo, unë mendoj se nuk do t’ia dalin dot mbanë kësaj pune. Sepse ekzistojnë si shumë grupe palestineze të pakontrollueshme madje dhe nga vetë Lëvizja “Hamas”. Ekstremizmi palestinez nuk përfaqësohet vetëm nga “Hamas-i”. Rripi i Gazës është si shumë i përçarë, prandaj më duket e pamundur arritja e armëpushimit me të gjithë grupet ekzistuese atje.

Autoritetet izraelite i dhanë ultimatum Lëvizjes “Hamas”: në qoftë se për 36 orë nuk do të rreshtin lëshimet e raketave nga Rripi i Gazës, ato do të zgjerojnë përmasat e operacionit ushtarak. Kjo është deklaruar nga Ministri i Financave i Izraelit Yuval Steinitz. Ndërkohë, ekspertët tërheqin vemendjen ndaj deklaratës së Presidentit amerikan Barack Obama në mbështetje të veprimeve ushtarake të Izraelit. Ai i quajti ato vetëmbrojtje të domosdoshme:

- Nuk ka asnjë vend në Tokë që do të duronte rrebeshin e raketave mbi kokë, i cili derdhet mbi qytetarët e tij nga territore të tjera.

0Të martën në Rripin e Gazës me një vizitë solidariteti do të mbërrijnë Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe Nabil Al-Arabi dhe një delegacion ministror. Vendimi për dërgimin e një misioni u morr në takimin e jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Lidhjes së Shteteve Arabe në Kajro. Në të ardhmen e afërt rajonin, siç pritet, do ta vizitojë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon.