0Në Komunitetin e Far Rockaway në jug të Nju Jorkut, që u godit rëndë nga uragani "Sandy", të gjithë atyre që kanë nevojë po u shpërndajnë batanije të ngrohta nga Rusia. Banorët po përpiqen të ngrohen për sa kohë që zona e goditur nga fatkeqësia natyrore vazhdon të mbetet pa ngrohje qendrore. Jeta pa energji elektrike doli të jetë shumë e vështirë për dhjetëra mijëra banorë të qytetit të Nju Jorkut dhe Long Island.

Batanijet e leshta janë vetëm një pjesë e ndihmave humanitare që u sollën në Shtetet e Bashkuara në fillim të kësaj jave me aeroplanin rus të Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme. Korrespondenti i "Zërit të Rusisë" u bë dëshmitar i asaj, se si nën drejtimin e klerikut Joseph Ewoodzie ndihmat po shpërndahen në ndërtesën e Kishës së Bashkuar Metodiste të Far Rockaway. Ja se çfarë thotë vetë prifti Joseph Ewoodzie:

- Menjëherë pas uraganit "Sandy" vërshoi një stuhi e fortë me reshje të dendura dëbore. Këtu ka shumë banorë të pastrehë, dhe unë mendoj, se ju mund ta merrni me mend gjendjen e këtyre njerëzve të mbetur edhe pa ngrohje. Kurse kështu, këto batanije do t’i japin të paktën njëfarë komforti, pakëz ngrohtësi njerëzve në nevojë.

Banorët e Far Rockaway janë mirënjohës për çdo ndihmë, e cila do të ndihmonte për t’ua lehtësuar sadopak jetën atyre. Qendra e Bashkuar Metodiste në Far Rockaway të shtunën ka shpërndarë rreth 2.000 batanije leshi. Kleriku Joseph Ewoodzie tha se ato u shpërndanë brenda disa orëve. Në dhënien e ndihmës së adresuar humanitare njerëzve në rajonet e prekur nga fatkeqësia natyrore, përveç kishës, janë ingranuar edhe organizata të tilla si Ushtria e Shpëtimit (The Salvation Army) dhe AmeriKorps. Ja se çfarë thotë Maria Vincent, e cila jeton në Far Rockaway:

- Ka kaluar gati një muaj që nga koha e goditjes së uraganit, kurse tek ne deri tani nuk është rivendosur plotësisht furnizimi me energji elektrike. Përveç kësaj, ne jetojmë në afërsi të bregdetit dhe sa më afër ujit ndodhen godinat e banimit, aq më ftohtë është. Ju shprehim falenderimet tona juve dhe Qeverisë së Rusisë! Kjo është mjaft prekëse, e paimagjinueshme! Ju thjesht po shpëtoni jetët tona. Unë njoh disa njerëz, të cilët nga i ftohti janë sëmurur me bronkit apo bronko-pneumoni. Ju mund të mendoni se batanijet nuk janë ndonjë gjë e madhe, por në fakt ato kanë shpëtuar nga i ftohti shumë prej nesh. Këtu bën tmerrësisht ftohtë.

0"Sandy" ishte uragani më i fuqishëm që goditi këtë rajon për disa dekadat e fundit dhe pasojat e tij janë me të vërtetë katastrofike. Disa komunitete, të tilla, si për shembull, Breezy Point, në kuptimin e plotë të fjalës u fshinë nga faqja e dheut prej dallgës 4-metërshe.